Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK), Pleurat Sejdiu, ka thënë se 13 mjekë kanë hequr dorë nga marrëdhënia e punës me Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës brenda tri javëve të fundit.
Sipas tij ata po largohen nga sektori publik si pasojë e pagës së ultë e kushteve të punës. Në sektorin privat Sejdiu thotë se mjekëve po u ofrohen paga të larta.
“Vetëm për këto tri javë i kemi 13 mjekë që janë larguar ... sektori privat do t’i tërheq sepse nuk është njëjtë të paguhet mjeku specialist me një rrogë 1200-1300 euro, siç flitet nëse koeficienti shkon prej 100, 110, sikur në sektorin privat që i merr minimum 2500 deri në 3000 euro”, ka theksuar ai.
Sipas Sejdiut dallimin do ta bënin kushtet e punës. Ai ka theksuar se nëse ato do të përmirësoheshin në sektorin publik, atëherë mjekët do të qëndronin në këtë sektor.
Sejdiu ka folur edhe për koeficientin e caktuar nga Qeveria, me të cilin ka thënë se mjekët janë të kënaqur.
“Nuk është e gjithë çështja e se të gjithë janë koncentruar në shumën e koeficientit. Ne problemin e shohim në pjesë tjetër të Ligjit. Tek pjesa narrative, te shtesat, tek pagesat e kujdestarive aty është problemi më i madh që duhet të reflektojë me problemin e punëve të përditshme të mjekut, por edhe të punëtorëve tjerë shëndetësorë, aty shumë pak janë të fokusuar. Ne si mjekë mund ta konsiderojmë se jemi renditur mirë, e pranueshme se sa do të jetë koeficienti ajo është e Qeverisë”, është shprehur Sejdiu. / EO