Gjatë proceseve të gjykimit të të akuzuarve për rastet e dhunës në familje, dhunimit dhe sulmit seksual nuk do të lejohen masa lehtësuese nën minimumin ligjor, në rast se miratohen edhe në lexim të dytë në Kuvend ndryshimet në Kodin Penal. Në Rrjetin e Grave i dhanë mbështetje nismës, por atë e kundërshtuan në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
Projektkodi Penal që e ka kaluar leximin e parë në Kuvend, e pamundëson marrjen parasysh të rrethanave lehtësuese ndaj të akuzuarve për dhunë në familje. Bazuar në të, dënimi që duhet shqiptuar nuk mund të jetë më i vogël se një muaj burgim apo 100 euro gjobë.
Dënimi nën minimumin ligjor nuk do të vlejë as për veprat penale të dhunimit dhe sulmit seksual.
Në Rrjetin e Grave të Kosovës është mirëpritur ky ndryshim në Kodin Penal.
“Pse të hiqen rrethanat lehtësues specifikisht në këto tri raste është sepse hulumtimet po tregojnë dhe përvojat e grave të tregojnë që aplikimi i rrethanave lehtësuese po ndikon direkt në vrasjet e grave dhe në rritjen e dhunës ndaj grave”, ka thënë Valmira Rashiti, koordinatore në Rrjetin e Grave të Kosovës.
Por, në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se ndryshimet nuk e përmirësojnë politikën ndëshkimore, meqë kanë konsideruar se problemet kryesore janë tek organet e drejtësisë dhe jo aq shumë te Kodi Penal.
“Gjyqtarët nuk i aplikojnë në mënyrë të drejtë rrethanat lehtësuese e rënduese dhe parimet e tjera mbi caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimeve, ashtu siç tash janë të përcaktuara në Kodin Penal dhe siç janë të sqaruara në udhëzuesin e Gjykatës Supreme për politikë ndëshkimore”, ka thënë Gzim Shala, hulumtues në IKD.
E në Ministrinë e Drejtësisë, prej ku janë iniciuar ndryshime, thanë se rritja e dhunës në baza gjinore e ka bërë të domosdoshme ndërmarrjen e kësaj politike.
“Trendi i rritjes së dhunimit dhe veprave penale me baza gjinore në këtë periudhë ka qenë shqetësuese, andaj Ministria e Drejtësisë bazuar në kompetencat e saj, ka iniciuar Plotësimin dhe Ndryshimi i Kodit Penal. Dispozitat e përcaktuara në këtë projektligj janë hartuar në atë frymë që dhunuesit dhe kryerësit e këtyre veprave të marrin dënimin e merituar”, ka thënë MD-ja.
Në Këshillin Gjyqësor nuk komentuan kritikat e shoqërisë civile për politikën ndëshkimore, por thanë se e kanë miratuar Planin Strategjik për përmirësim e Qasjes në Drejtësi 2022-2025, e që ka qëllimin kryesor efikasitetin dhe prioritizimin e lëndëve.
Në këtë institucion përmendën vetëm një rast kur gjyqtarit i është shqiptuar masë disiplinore shkaku i vendimit të tij për një aktgjykim për veprën penale të dhunimit.
“Në këtë çështje disiplinore, Këshilli ka konstatuar se janë konsumuar të gjitha elementet e shkeljes disiplinore dhe ia ka shqiptuar seksionin disiplinor (gjyqtarit v.j.), “transferim i përhershëm në Divizionin e Kundërvajtjes në kuadër të gjykatës përkatëse” (subjekti i hetimit disiplinor është ulur në pozitë)”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor.
Gjatë 2022-s në Policinë e Kosovës janë raportuar mbi 80 raste të ngacmimeve seksuale dhe dhunime dhe mbi 60 raste të sulmeve seksuale. Vitin e kaluar janë raportuar edhe 2000 raste të dhunës në familje, ndërsa më shumë se 80 për qind të viktimave në këto raste janë gra.