Kompania për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë, KEDS, ka thënë se rajoni i Mitrovicës, përfshirë Skenderajn, është më i prekur nga ndërprerja me energjinë elektrike, si pasoj e vërshimeve që ndodhën të enjten.
Në një përgjigje për KOHËN, KEDS-i ka thënë se nga reshjet e dendura të shiut, dëme në distribuimin e energjisë janë shkaktuar edhe në rajonet e Pejës, Prizrenit dhe Gjakovës.
“Gjendja me furnizim është stabilizuar në Prizren e në Gjakovë, ndërkaq në Pejë furnizimi me energji është në stabilizim e sipër”, thuhet në përgjigjen e KEDS-it për KOHËN.
Ekipet e KEDS-it, sipas përgjigjes, janë duke punuar akoma në disa zona, por për shkak që dëmet janë të natyrave të ndryshme, rregullimi ka qenë i pamundur menjëherë.
“KEDS-i ka angazhuar ekipe shtesë në mënyrë që në një afat sa më optimal të evitohen të gjitha dëmet e shkaktuara si rrjedhojë e vërshimeve”, vijon përgjigja e tyre.
Mitrovica, Skenderaj e Klina janë komunat më të prekura nga vërshimet në Kosovë.