Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi se në vend të mbështetjes, qytetarët po përfitojnë keqqeverisje, skandale korruptive e regres ekonomik nga Qeveria Kurti.
Ai shkroi në Facebook të enjten se Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje po i injorojnë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, duke përmendur pamundësimin e tërheqjes së kursimeve nga Trusti.
“Si pasojë e krizës së rëndë ekonomike, është hera e dytë që me kërkesë të qytetarëve vjen në Kuvend nevoja për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga TRUST-i dhe po ashtu është hera e dytë që kjo mazhorancë e injoron. Sa t'i kenë për miq, anëtarë të partisë e zyrtarë të lartë tipat si Martin Berishaj, është normale që këtij kryeministrit do t’i mungojë vazhdimisht sensi i empatisë ndaj krizës me të cilën po ballafaqohen qytetarët”, tha Krasniqi.
Të enjten, me 55 vota kundër dhe 42 pro është rrëzuar iniciativa e qytetarëve që të lejohet tërheqja e deri 30 për qind të mjeteve të trustit.
Kundër ishin deputetët e pushtetit. Pas dështimit, deputetët e opozitës lëshuan sallën.
Projektligji me të cilin kërkohej të tërhiqej një pjesë e trustit pati shkuar në Kuvend nëpërmjet peticionit me mbi 21 mijë nënshkrime të qytetarëve.