Arbëri

Muja mbron ambasadorin Berishaj: GEN-in e ka sjellë PDK-ja

Armend Muja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, i ka dalë në mbrojtje ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, duke thënë se kompania serbe e eksportimit të energjisë, GEN, është futur në tregun e Kosovës nga Partia Demokratike të Kosovës.

Muja iu kundërpërgjigj aktivitetit të deputetëve të PDK-së, të cilët në sallën e Kuvendit vendosën një baner në vendin ku ulet kryeministri Albin Kurti, me mbishkrimin: “Unë i besoj Martin B€ri$hajt”.

Deputeti i VV-së ka propozuar që të formohet një komision hetimor parlamentar edhe për ish-ambasadorin Akan Ismajli.

“Ajo çfarë dimë është se kompania serbe GEN ka filluar të punojë në Kosovë në vitin 2008 dhe kontratat e fundit me ta i kemi nënshkruar në vitin 2020. Dhe këto kontrata i ka nënshkruar Njazi Thaqi. GEN-in e ka pru PDK-ja. E bëmë një komision hetimor për energji. Ishte befasi paraqitja e Berishajt para këtij komisioni, kishte vetëm përshëndetje e lëvdata ndaj njëri-tjetrit, pa pyetje. Kjo ishte e turpshme. Cilat ishin gjetjet e komisionit hetimor? Asgjë. Por meqenëse po duhet edhe një komision hetimor për ambasadorët, propozoj që të kemi komision për 4 milionë frangat e padeklaruara të ish-ambasadorit Akan Ismajli, në kuadër të skandalit ‘Credit Suisse’. Ai ka qenë ambasador, s’i ka deklaruar. Ta shohim a ka diçka aty. Ka qenë operator i Bechtel-Enkas dhe ka bashkëpunuar me Veselinoviqin”, ka thënë Muja.

KOHA pati raportuar në fillim të këtij janari se Policia e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ambasadorit Berishaj pasi dyshohet se ka përfituar së paku 1.5 milionë euro nga kompania GEN me seli në Serbi për periudhën 2019 e deri në prillin e vitit 2022, duke iu shmangur pagesës së tatimit.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dalë në krah Berishajt, duke thënë se s'ka ndonjë provë faktike për ta shkarkuar.

Edhe vetë Berishaj, përmes një reagimi të mërkurën, ka hedhur poshtë të gjitha akuzar që janë drejtuar ndaj tij.