Arbëri

Osmani e Konjufca për vdekjen e Shukriut: Humbje e thellë për shkencën, la gjurmë të pashlyeshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e akademikes Edi Shukriu.

Presidentja Osmani të martën ka deklaruar se vdekja e akademikes është humbje e thellë për dijet e për shkencën shqiptare, derisa e cilësoi si emër të çmuar në fushën e arkeologjisë e të historisë.

“Duke qenë ndër arkeologet e para shqiptare, ajo i vuri themelet e dijeve arkeologjike në Kosovë, së cilave ua kushtoi pothuajse tërë jetën, duke themeluar e drejtuar institucione e projekte të ndryshme kërkimore e shkencore. Njeri me vokacion të theksuar poetik, prof. Shukriu është e njohur edhe në fushën e letërsisë. Ajo na i ka lënë trashëgim disa vepra poetike”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Për vdekjen e Shukriut ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca. “Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e intelektuales, arkeologes sonë të shquar, shkrimtares dhe ish deputetes, Edi Shukriu. Ajo la gjurmë të pashlyeshme në fushën e shkencës, letërsisë, historisë, arkeologjisë, kulturës dhe mendimit politik”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Ai ka thënë se Shukriu dha kontribut të pazëvendësueshëm në pavarësinë dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës. “Akademikja Shukriu njëkohësisht ishte shembulli i gjallë i gruas së angazhuar e aktiviste me pjesëmarrjen e saj në proceset kyçe nëpër të cilat kaloi populli dhe shoqëria jonë. Trashëgimia që e la pas mbetet për t'u studiuar e kujtuar. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen e saj, bashkëpunëtorët, për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe mbarë kombin shqiptar”, ka shkruar Konjufca.

Shukriu vdiq të martën në moshën 73-vjeçare.