Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.
Një ditë më parë, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës e cilësoi të kundërligjshme situatën në të cilën Rama ishte pjesë e KQZ-së edhe pse ishte emëruar në pozitën e sekretarit organizativ të VV-së. Ai kritikoi presidenten Vjosa Osmani se për tre muaj ka toleruar këtë situatë.
“Po bëhen gati tre muaj që kur anëtari i KQZ-së, Alim Rama, ka papajtueshmëri ligjore në ushtrimin e këtij mandati, për shkak të emërimit në pozitën e Sekretarit Organizativ në LVV. Pra, po bëhen tre muaj që kur Presidentja është duke toleruar një situatë të kundërligjshme. Edhe muaji janar, i përmendur si kohë e fillimit të ushtrimit të mandatit nga Rama – sado që kjo është absurde – po kalon. Kësisoj, vetë Presidentja po kryen shkelje duke mos përmbushur obligimet ligjore për zëvendësimin e tij”, pati shkruar Cakolli në Facebook.
Të premten, Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se presidentja është njoftuar për dorëheqjen e Ramës.
“Presidentja është informuar lidhur me dorëheqjen e z.Alim Rama nga pozita e anëtarit në KQZ. Pas kësaj, Presidentja ka marrë vendim për lirim të tij nga detyra dhe në ditët në vijim, bazuar në afatet ligjore do të bëhet zëvendësimi i anëtarit në KQZ”, ka thënë për KOHËN Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidencës së Kosovës.