Demush Shasha nga Instituti EPIK ka deklaruar se pret që në gjashtë muajt e parë të 2023-s, Kosova dhe Serbia të arrijnë lëvizje progresive në marrëveshjen finale. Ai ka thënë të enjten në DESKU-n e KTV-së se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë lëvizur nga qëndrimet e kaluara, duke shfaqur shenja të hapjes së diskutimeve.
“(Ndërkombëtarët v.j.) po përcjellin mesazhin e urgjencës. Po shohim se niveli i vizitave po shkon duke u rritur dhe kemi parë caktimin e emisarëve të veçantë. Siç duket ky është viti kur ata duan të shohin progres real në kuadër të dialogut. Jemi në një situatë ku të dy palët, Kosova dhe Serbia, po japin mesazhe se janë të gatshëm për kompromise, por ato mesazhe janë pak të nënkuptuara. Kemi një lëvizje të madhe të Kurtit, që ka lëvizur nga koha kur asociacionin do ta konsideronte ndër ëndrrat më të këqija të tij”, deklaroi Shasha.
Sipas tij, edhe presidenti Vuçiq është shprehur i hapur për marrëveshje, ndërsa siç ka theksuar ai, hendeku mes Kurtit e Vuçiqit do të tejkalohet nëpërmjet një inxhinieringu të madh.
“Kemi qëndrime edhe në Beograd edhe në Prishtinë ku liderët mund të bartin koston e një marrëveshjeje. Ky sfond unikaliteti e bënë këtë urgjencë kohore. Procesi do të intensifikohet, do të arrihet brenda muajve të këtij viti, besoj se do të shohim progres”, ka thënë ai.
Sipas Shashës, dialogu mes vendeve do të jetë i ndërlidhur me pozitën e Serbisë në rajon dhe me hartimin e Kosovës për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
“Ajo që kemi parë nga gjërat publike, do të jetë njohje ‘de facto’ ku palët do të pranojnë realitetin. Kur thonë se dy palët njohin sovranitetin, kjo është njohja ‘de facto’, kur palët pranojnë të vendosin marrëdhënie diplomatike, kjo është njohje”, u shpreh ai.
Kryeredaktorja e KTV-së, Brikenda Rexhepi, ka thënë se të dërguarit amerikanë të martën ritheksuan kërkesën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por i paaranzhuar në formën e Republikës Serbë në Bosnjë.
Sipas saj, SHBA-ja shprehu përkushtim për mbështetjen e Kosovës në këtë proces, derisa shtoi se siç janë shprehur ndërkombëtarët, SHBA-ja do të jetë krah Kosovës.
“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së janë shumë të fuqishme dhe në Administratën e SHBA-së dhe në Departament të Shtetit janë njerëz që e njohin shumë mirë çështjen e Kosovës dhe themi se kanë qenë të mishëruar me çështjen e Kosovën qysh para se 20 vjetëve. Duke nisur nga presidenti Biden, sekretari Blinken, zv.ndihmëssekretari Escobar dhe nga shumë zyrtarë të lartë”, u shpreh ajo.