Arbëri

Krasniqi për raportin e HRW-së: Shpërfaq mungesën elementare të përgjegjësisë institucionale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se raporti i Human Rights Watch (HRW), i publikuar të enjten, shpërfaq mungesën elementare të përgjegjësisë institucionale nga Qeveria Kurti për vitin 2022. 

Tensionet e shkaktuara në veri të Kosovës, kërcënimet dhe frikësimet ndaj gazetarëve, vrasjet e grave nga bashkëshortët dhe diskriminimi i komunitetit LGBT+ në Kosovë, janë disa nga çështjet që organizata HRW përmendi në raportin për të drejtat e njeriut për vitin 2022 për Kosovë.

“Kaosin, mungesën e kompetencës, keqqeverisjen dhe pasigurinë sociale e politike të krijuar gjatë vitit 2022 në vendin tonë – e ka evidentuar edhe raporti i fundit për Kosovën i organizatës Human Rights Watch. Dhuna dhe vrasjet e grave, kërcënimet e gazetarëve nga zyrtarë institucionalë e diskriminimi i të gjitha komuniteteve të margjinalizuara, dëshmojnë detajisht paaftësinë e kësaj Qeverie”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Sipas Krasniqit, raporti është treguesi më i mirë se çka i pret qytetarët sivjet nga Qeveria, që sipas tij, është abuzimi me të drejtat e tyre elementare.

“Shpërfaqja e mungesës elementare të përgjegjësisë institucionale në vitin e kaluar, është tregues i qartë se çfarë i pret qytetarët e Kosovës edhe këtë vit nga kjo Qeveri: Abuzim me të drejtat e tyre elementare”, ka shkruar tutje kreu i PDK-së.