Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur lidhur me deklaratat e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, se plani franko-gjerman është më i favorshëm për Serbinë, sepse nuk parasheh njohje të ndërsjellë.
Gjatë vizitës së punimeve në një autostradë, Vuçiq, ka folur edhe me deklarimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se afati për arritje të një marrëveshje përfundimtare Kosovë – Serbi është marsi.
Vuçiq ka thënë se me këtë nënkuptohet se “nëse nuk arrihet marrëveshja, Kosova synon të vazhdojë dënimet lidhur me targat e automjeteve”.
“Unë nuk mendoj se ata kanë mjete për të bërë gjëra të tilla, se kanë pasur mjete për të hequr barrikadat. Është një taktikë në të cilën duhet të jemi të lumtur dhe të heshtim kur dikush bëhet anëtar i OKB-së”, ka thënë Vuçiq, raporton “Kosovo Online”.
Për Bislimin, Vuçiqi ka thënë se “nuk është njeri i fjalës”.
“Unë jam siguruar shumë herë për këtë”, ka thënë Vuçiq.
Barrikadat në veri të Kosovës u hoqën në fund të vitit të shkuar pas 20 ditësh qëndrimi. Serbët i hoqën barrikadat pasi Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi që masën e paraburgimit t’ia ndërrojë në arrest shtëpiak, ish-policit Dejan Pantiq, që dyshohet për sulm ndaj Policisë së Kosovës dhe Komisioneve Komunale Zgjedhore.
Qeveria e Kosovës ka thënë në vazhdimësi se po pret që KFOR-i t’i heqë barrikadat, duke shtuar se nëse KFOR-i nuk i heq, do t’i heqë Policia e Kosovës.