Arbëri

Kica-Xhelili për videon e VV-së: Ka vjedhje të mostrave të rastit “Dehari”, ka ndërhyrje në drejtësi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka pasur kritika të ashpra për videon e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje të martën ku goditen qeveritë e kaluara dhe sindikatat, ndërsa lavdërohet puna e Qeverisë Kurti.

Kica-Xhelili, e cila ishte pjesë e Listës GUXO e më pas kaloi në LDK, ka kujtuar se vjedhja e mostrave të rastit të aktivistit të VV-së, që u gjet i vdekur në paraburgim në Prizren, Astrit Dehari, ka ndodhur gjatë kësaj qeverisje.

“Çka ka çka s’ka? Ka vjedhje të mostrave të rastit të Astrit Deharit. Ministrja e Drejtësisë, e NJËJTA që para një kohe për rastin e vrasjes së gruas shtatzënë tha ‘jap dorëheqje në momentin që gjeni përgjegjësi individuale apo të tërthortë’, sot shfajësohet. Ministrja, tha, janë fshirë xhirimet nga kamerat. Pse, sa kohë të qenka dashur ta kuptosh që të janë vjedhur mostrat? Pra çka ka? Ka papërgjegjësi, dhunë morale e etike e keqpërdorim brutal të rasteve individuale që kanë prekur e vazhdojnë të prekin emocionet më të thella e brishta njerëzore për diskurse të gërditshme politike”, ka shkruar ajo në Facebook.

“Çka tjetër?”, vazhdon Kica-Xhelili.

“Ka gjykim PUBLIK nga Kryeministri i Kosovës dhe akterë tjerë në qeveri të rastit të fundit në Shtërpcë. Gjykim publik të një pjesëtari të FSK-së pa u zbardhur rasti nga drejtësia. E çka ndodh nëse i dyshuari del të jetë viktimë e një sulmi të planifikuar e vetmbrojtje? Me gjasë e përmbyllin me një fotografi me lavde e kushtime fiktive”, ka shkruar deputetja e LDK-së.

“A ka edhe më? Sa të duash”, shkruan Kica-Xhelili, e cila konsideron se gjatë kësaj qeverisje ka pasur ndërhyrje flagrante në drejtësi nga akterët institucionalë.

“Ka këshilltarë të Ministrisë së Drejtësisë që publikisht gjykojnë palë të proceseve gjyqësore për raste që po gjykohen e nuk janë përmbyllur. Akterë që s’e kanë as idenë më të vogël çka nënkupton ndarja e pushteteve e duan ndërkohë në emër të reformave të thella t’i pavarësojnë tutje këto institucione pa e pasur të qartë as për vete konceptin e pavarësisë institucionale”, ka shtuar tutje ajo.

Sipas Kica-Xhelilit, kjo nuk është e gjitha, por ka edhe më shumë.

“Por duket që në vend të punës në zbardhje të rasteve, reformave efektive e kërkimit të përgjegjësisë së mirëfilltë, do të ‘vetëkënaqen’ edhe një kohë me të kaluarën sepse dy vitet që shkuan ky vend po jeton në realitete paralele, atë të përgjithshmin, dhe atë që shpërfaq Lëvizja Vetëvendosje. Çka ka çka s’ka? Paaftësi e kamuflim të saj. E halli, ku? Ku nuk mban më”, ka shkruar ajo.

Videoja e VV-së ku goditen qeveritë e kaluara e sindikatat ka bërë bujë në rrjetet sociale. Reagim për të pati edhe deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri e ai i LDK-së, Avdullah Hoti.