Nga ky vit, Gjinekologjia pritet të ofrojë edhe shërbimin e frytnimit të asistuar mjekësor
Shërbimi për frytnim të asistuar mjekësor që është kryer deri më tash vetëm në spitale private, pritet të nisë edhe në QKUK. Në Klinikën e Gjinekologjisë dhe në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se projekti i nisur qysh nga 2020-a do të funksionalizohet brenda këtij viti. E kostoja për frytnim të asistuar mjekësor në spitale private shkon deri në 4 mijë euro.
Klinika e Gjinekologjisë pret që sivjet ta funksionalizojë repartin në të cilin do të përdoret metoda artificiale për të arritur deri në shtatzëni, e njohur si IVF.
Bazuar në të dhënat e komisionit për frytnim të asistuar mjekësor, në periudhën 2016- qershor 2022, në tetë institucione private janë trajtuar mbi 7 mijë raste.
E kostoja mesatare e këtij shërbimi në Kosovë për një çift, vlerësohet rreth 3 mijë deri në 4 mijë euro.
Sipas drejtorit të Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, janë tejkaluar pengesat buxhetore dhe puna në repartin IVF pritet të startojë shpejt.
“Ka hyrë në projekt, do të thotë plani për buxhetin 2023, projekti i IVF dhe është nënshkruar edhe nga ministri edhe nga ministri i Financave dhe tash me sa duket hapja e tenderit për furnizimin me aparaturë të nevojshme e cila është e nevojshme edhe disa mjete të tjera gjatë punës në sallat e operacionit që po shpresojmë që shpejt do të kryhen edhe ato. Ndarja e buxheteve është bë me sa e di unë dhe vetëm pritet finalizimi, arritja e mjeteve edhe fillimi i punës. Po besoj brenda disa muajve”, ka thënë Ndrejaj.
Ndrejaj ka thënë se tashmë ka përfunduar edhe trajnimi i stafit që do të punojë në këtë repart.
E doktoresha e repartit, Majlinda Aliu Ibrani, ka treguar për rëndësinë e funksionalizimit të këtij shërbimi në QKU.
“Është më se e nevojshme do të thotë për një kohë të gjatë të kishte qenë i realizuar një repart i tillë sepse kërkesat janë të shumta, veçmas dhe dihet në bazë të popullatës sonë e cila do me thënë është detyruar të kryejë shërbimet e veta përmes mundësive, rrugëve të tjera dhe kjo ka qenë dhe është më se e nevojshme edhe sa i përket furnizimit nëpërmjet inventarit vetëm çështjet kanë filluar duke funksionalizuar”, ka thënë ajo.
Edhe në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se plani i veprimit për Funksionalizimin e Fertilizimit të Asistuar Mjekësor, Citogjenetikës dhe Amniocentezës do të gjejë zbatim nga ky vit.
“Arsyeja e mosfunksionalizmit të punimeve të këtij shërbimi të ri në sektorin publik është për shkak të mosplanifikimit të duhur (para se të finalizohej dokumenti strategjik, janë iniciuar procedura për zhvillimin e këtij shërbimi). Ngecja e këtij shërbimi është për shkak se politikat nuk kanë qenë të aprovuara, ndërsa tani kemi një politikë të aprovuar dhe pritet edhe funksionalizimi i këtij plani në përputhje me afatet kohore të përcaktuara në plan”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Sipas planit të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë, funksionalizimi i repartit do të realizohet nëpër faza të ndryshme në periudhën prej 2023-2025.