Klinika e Onkologjisë e ka përfunduar planifikimin për furnizim me barna për këtë vit. Ndonëse nuk është raportuar për rritje të madhe të rasteve nga viti i kaluar, kjo klinikë ndër të tjera ka planifikuar ta rritë sasinë e blerjes së një citostatiku, ndër më të shtrenjtit në Listën Esenciale, për afro 700 për qind. Kjo rritje ka kosto shtesë mbi 5 milionë euro
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës planifikon t’i shpenzojë këtë vit 7 milionë euro më shumë për blerjen e dy llojeve të citostatikëve, por pa arsyetuar nevojën e shfrytëzimit të krejt kësaj sasie.
Klinika e Onkologjisë, që është pjesë e këtij institucioni, e ka finalizuar planifikimin për barna. Mjekët e kësaj klinike i kanë thënë KOHËS që rritja e rasteve nga njëri vit në vitin tjetrin është nga 6-15 për qind, por nuk dihet se pse kjo klinikë e rriti kërkesën për vetëm dy produkte - nga më të shtrenjtat e Listës Esenciale të Barnave.
Bari Nivolumab është pjesë e imunoterapisë. Nga SHSKUK-ja kontraktohet në doza 40 e 100 miligramëshe. Çmimi i barit më dozë me të vogël është afro 520 euro, e i atij 100 miligramësh afro 1200 euro për një njësi.
Deri këtë vit SHSKUK-ja nuk e ka ofruar këtë lloj të barit për secilin pacient. Ai është dhënë vetëm për rastet kur proteina PDL 1 rezulton pozitive. Kjo është proteinë që vepron si një lloj "frenimi" për t’i mbajtur nën kontroll përgjigjet imune të trupit. Përveç ndonjë përjashtimi, në rastet kur rezultati del negativ, pacientët nuk mund të marrin këtë lloj terapie.
Mjekë të kësaj klinike kanë sqaruar se në Onkologji në Kosovë, Nivolumabi përdoret kryesisht te pacientët me dy lloje kanceresh - atë të mushkërive dhe atë të lëkurës. Por as te këto kancere nuk përdoret tek të gjithë pacientët sepse PDL 1 pozitiv nuk rezulton tek të gjithë. Kësisoj, te kanceri i mushkërive si normë ndërkombëtare PDL 1 pozitiv dalin gjithsej 7 deri 10 për qind e pacientëve të diagnostikuar me këtë sëmundje.
Me e madhe përqindja e pacientëve që kanë PDL 1 pozitiv janë pacientët me kancer të lëkurës. Një nga mjekët ka deklaruar që te pacientët ky rezultat është rreth 30 për qind. Megjithatë numri i pacientëve që diagnostikohet me këtë lloj kanceri në Kosovë brenda një viti sillet nga 50-55 pacientë e që nënkupton që brenda viti kanë nevojë për këtë terapi afro 15 pacientë.
Aktualisht janë rreth 40 pacientë që përdorin këtë lloj terapie.
Pa rritje të madhe të numrit të pacientëve me kancer, SHSKUK-ja po planifikon rritjen për qindra herë të përdorimit të këtij lloj bari. E kjo vetëm për Nivolumab do ta rritë koston për me shumë se 5 milionë euro.
Burime të Klinikës së Onkologjisë i kanë ofruar KOHËS qasje në planifikimin për rritjen enorme të shfrytëzimit të këtij citostatiku. Në vitin 2022 janë blerë 280 njësi në Nivolumab të 40 miligramëve. E në vitin 2023 planifikohet që shpenzimi të rritet për 701 për qind. Kjo klinikë ka planifikuar që të blejë 2244 njësi.
Rritje enorme ka edhe doza e Nivolumab e 100 miligramëve. Në vitin 2022 janë blerë 600 njësi. Në vitin 2023 do të blihen 4488 njësi ose 648 për qind me shumë së viti i kaluar.
Vitin e kaluar për dozat e Nivolumab janë shpenzuar rreth 1 milion euro. E me planifikimin aktual do të shpenzohen pak me shumë se 6 milionë euro.
Rritje të gati 100 për qind të shpenzimit do të ketë edhe për barin me të shtrenjtë që përdor Klinika e Onkologjisë në SHSKUK. Bari Pembrozilumab kushton 3288 euro për njësi. Në vitin 2022, SHSKUK-ja kishte planifikuar 280 njësi nga ky bari me vlerën e afro 900 mijë eurove.
Për vit planifikimin e shpenzimit e kanë rritur në 582 njësi ose në afro 2 milionë euro.
Vetëm për këto dy barna kostoja financiare e barnave është rreth 9 milionë euro.
Siç është informuar KOHA, për këtë planifikim është krijuar komision në kuadër të Klinikës së Onkologjisë. Njëri nga ta, siç ka mësuar KOHA, nuk ka pranuar ta nënshkruajë planifikimin final.
KOHA u është drejtuar Drejtorisë së SHSKUK-së, Zyrës për Informim, bordit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, me pyetjet - se në çfarë është mbështetur planifikimi i rritjes së shpenzimeve, kush do të përfitojë nga kjo rritje, a ka ndryshuar mënyra e trajtimit të pacientëve nga viti i kaluar dhe pse është rritur pikërisht planifikimi për shpenzueshmëri të barnave shumë të kushtueshme. Askush nuk ka dhënë përgjigje.
Përderisa SHSKUK-ja po planifikon blerje në sasi kaq të madhe të këtyre dy barnave, Klinika e Onkologjisë është pothuajse në kolaps për mungesë të produkteve edhe bazike.
Mungojnë: Bevacizumab, Paclitaxel, Sunitinib, Nivolumab, Tamoxifen , BCG, Keytruda, Erlotinib, Nilotinib e shumë të tjera.
KOHA në fillim të javës ka raportuar që SHSKUK-së i kanë tepruar rreth 1.3 milionë euro të destinuar për barnave.