Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka publikuar disa pamje gjatë tërheqjes së barrikadave në veri të Kosovës.
Krahas videos së publikuar, KFOR ka thënë se me largimin e automjeteve të rënda që po bllokonin rrugët në veri të Kosovës, është rivendosur liria e lëvizjes për të gjitha komunitetet në këtë zonë.
“KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thuhet më tej në deklaratën e KFOR-it.
Ky mision paqeruajtës më tej ka shprehur gatishmërinë për çdo zhvillim të sigurisë.
“KFOR-i është plotësisht i përgatitur për çdo zhvillim të sigurisë në linjë me mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara dhe vazhdon të ofrojë kornizë të sigurisë për të çuar përpara dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.