U shpall non grata nga Shtetet e Bashkuara e më vonë edhe nga Britania e Madhe, por në shtetin prej më proamerikanëve, kjo e ringjalli si politikan Sali Berishën. Ai u rikthye në krye të Partisë Demokratike në Shqipëri, në një proces zgjedhor të përcjellë me jo pak tensione.
Berisha është kthyer kryetar i PD-së pas nëntë vjetëve. Dhe, mosha nuk i është bërë pengesë për ta kthyer edhe presionin në rrugë. Me protesta shembi udhëheqjen e Lulzim Bashës në pari, e me to synon ta shembë edhe pushtetin ekzekutiv të kryeministrit Edi Rama në Shqipëri. E fundit ishte ajo e 6 dhjetorit, ditë kur në Tiranë u organizua Samitit BE-Ballkan Perëndimor. Gjatë saj, Berisha u godit me grusht në fytyrë nga një qytetar, e edhe u gjakos.
Ish-presidenti e ish-kryeministri i Shqipërisë, përpos në politika të brendshme, u tregua kundërshtar i rreptë i Ramës në çështjet që lidhen me Serbinë. Kundërshtoi vazhdimisht “Ballkanin e Hapur”, e po ashtu kritikoi miqësinë e kryeministrit me presidentin e Serbisë. Ndërkaq, përdori diskurs të fortë kundër Serbisë për secilën ngjarje që lidhet me Kosovën.