Avokati i Popullit, Naim Qelaj, po e konsideron se po u shkelen rëndë të drejtat e njeriut ish-krerëve të UÇK-së, që janë duke u mbajtur për një periudhë të gjatë në paraburgim në Hagë.
Qelaj për “Ekonomia Online” tha se problemi është distanca. Ai thotë se kanë marrë ankesë nga ish-krerët për maltretimin që po e kanë familjarët e tyre që të udhëtojnë për t’i vizituar.
Qelaj tha se shqetësim më i madh është kohëzgjatja e paraburgimit pa u dhënë ndonjë arsye apo pa u paraqitur fakte.
“Është një situatë më specifike se me burgosurit që janë brenda Kosovës, pasi po ballafaqohemi me një situatë ku vetë distanca në të cilën ata ndodhen paraqet shumë vështirësi. Sa sfiduese është që të udhëtosh, të sigurosh linja ajrore, pastaj të akomodohesh. Në vizitën që kam pasur të burgosurit kanë shprehur shqetësim të madh për maltretimin që e kanë familjarët e tyre që ta marrin atë rrugën që t’i takojnë ata. Sa i përket akomodimit dhe kushteve në burg as një vërejtje nuk e kam pasur në kohën kur i kam vizituar dhe nuk po besoj që do të ketë vërejtje. Ndoshta ka aspekte të tjera që lidhen me të drejtat që i ka çdo i akuzuar, procedura penale për një gjykim të drejt dhe të paanshëm. Ndoshta problemi kryesor për të cilën ne shqetësohemi edhe pse mandati jonë është i kufizuar në raport me këtë Gjykatë, lidhte me kohëzgjatjen e paraburgimit, e cila vërtet është shqetësuese. Në situatën në të cilën ndodhen këta të burgosur, konsideroj që mbajtja për një periudhë kaq të gjatë kohore pa dhënë arsye dhe pa paraqitur fakte të mjaftueshme paraqet shqetësim se atyre po iu shkelen të drejtat”, tha ai.
Ndërsa sa i përket të burgosurve në Kosovë, Avokati i Popullit, tha se në përgjithësi të drejtat e tyre respektohen, por ai shtoi se gjendja pak më e vështirë është tek personat me çrregullim mendor që janë të privuar nga liria.