Arbëri

Shtrenjtimet ulën shpenzimet e qytetarëve për fundvit

Mallra

Në ditën e fundit të vitit, qytetarët i vazhduan përgatitjet për natën e ndërrimit të moteve. Çmimet e larta si dhe lëvizja e madhe e tyre si pasojë e festave, ishin disa nga ankesat që ata kanë shprehur. E sipas një hulumtimi të UBO Consulting, familjet kosovare sivjet kanë shpenzuar për festa, rreth 200 mijë euro më pak se në vitin e kaluar

Mesdita e së shtunës së fundit të vitit e gjeti shumicën e qytetarëve duke u furnizuar me ushqime të ndryshme për natën e ndërrimit të moteve.

Për t’i mbushur shportat, ata i frekuentuan qendrat tregtare e tregjet, por gjatë kësaj kohe edhe shprehën pakënaqësi.

Çmimet e larta si dhe lëvizja e madhe e tyre, si pasojë e festave të fundvitit, ishin disa nga ankesat që i përmendën.

“Çmimet janë të larta në krahasim me pagat dhe pensionet që i kemi. Edhe ky vit ishalla nuk përsëritet më. Gjithçka është shtrenjtë. Unë e di që edhe situata në botë nuk është e mirë, e të gjitha, por te ne çdo ditë ndryshojnë çmimet. Çdo mëngjes gjen tjetër çmim. Është e papërballueshme për qytetarin”, ka thënë Adem Luta.

“Dola me shiku pak diçka. Çka të mundem me mbërri me marr… Çmimet janë për familjet, të rënda”, ka deklaruar Nazlie Musliu.

“Njëjtë jemi duke harxhuar për këto festa që nuk janë tonat hiç. Po duhet të i festojmë për hatër të fëmijëve, shoqërisë e miqësisë. Po të lidh njëra me tjetrën. Se shtrenjtësia po vërehet te ne, sidomos për festa. Katastrofë”, ka thënë Mehmet Gashi.

E për shitje më të paktë krahasuar me vitin e shkuar është ankuar Beqir Avdiu, pronari i një tezge në tregun më të madh të Prishtinës.

“Viteve të fundit ka shumë rënie të shitjeve për fundvit se janë vetëdijesuar edhe njerëzit, nuk është një far feste ekstrem interesant. Është veç ndërrim i datës, i vitit edhe janë vetëdijesuar njerëzit, blejnë nga pak si ditëve të tjera. Jo edhe ashtu në ekstrem shumë, siç kanë ble para një kohe të gjatë”, ka thënë Avdiu.

Bazuar në një hulumtim të ditëmëparshëm nga UBO Consulting, familjet kosovare sivjet kanë shpenzuar për festa të fundvitit rreth 200 mijë euro më pak sesa në periudhën e njëjtë të vitit të shkuar.

Në këtë hulumtim, të bazuar në intervista me qytetarë, është theksuar se ata kanë shpenzuar më tepër në ushqime dhe jo në dhurata, dekore apo edhe aktivitete të tjera, siç ishte në vitet e mëparshme.

Në kryeqytet, përveç produkteve ushqimore, qytetarët shpenzuan të shtunën edhe për blerjen e mjeteve piroteknike.

Ditë më parë, Komuna e Prishtinës e ka ndaluar përdorimin e tyre në hapësira publike ndërsa Policia e Kosovës ka dalë me apel për qytetarët që të mos festojnë me armë dhe që të kenë kujdes gjatë përdorimit të mjeteve piroteknike.