Arbëri

Ministria e Shëndetësisë që nga marsi nuk i ka furnizuar QKMF-të me infuzione

infuzion

Ilustrim

Pacientët që i drejtohen kujdesit parësor shëndetësor për të marrë një infuzion, në shumicën e rasteve rrezikojnë që të kthehen pa u trajtuar. Në mungesë të furnizimit nga Ministria e Shëndetësisë, që është përgjegjëse për t’i siguruar ato, disa komuna kanë blerë infuzione dhe i kanë mbuluar vetë kërkesat e pacientëve

Që nga marsi institucionet e kujdesit primar shëndetësor nuk janë furnizuar me infuzione nga Ministria e Shëndetësisë. Në disa prej tyre mungesat janë mbuluar nëpërmjet komunave, që furnizimet i siguruan me anë të iniciativave vetjake.

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë treguan se furnizim jo i rregullt është vërejtur edhe për barna të tjera.

“Mungesë të infuzioneve do të thotë, që është forma apo lloji i infuzionit, siç është natrium kloridi ose qysh njihet NaCl, kemi mungesë që nga muaji i tretë i këtij viti, ndërsa me formën ampulare ka më tepër se gjashtë muaj që nuk jemi furnizuar me shumë lloje të ndryshme të ampulave që është mjaft esenciale për të ofruar shërbim shëndetësor”, ka thënë farmacisti Fatos Aliu.

Krahas kryeqytetit, me mungesë të infuzioneve po përballen edhe komunat e tjera.

Në qendrat kryesore të mjekësisë familjare thanë se probleme me furnizim të barnave nga Lista Esenciale ka pasur edhe sivjet.

Sazan Ibrahimi, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka thënë se në kuadër të Kolegjiumit për Shëndetësi është ngritur disa herë problematika e mungesës së furnizimit me kohë të rregullt.

“Për furnizimin e qendrave të mjekësisë familjare në komunat e Republikës së Kosovës për të gjitha barnat që vijnë nga Lista e Barnave Esenciale, përgjegjëse institucionale është Ministria e Shëndetësisë dhe nuk është hera e parë që komunat ankohen për mosfurnizim të rregullt me barna esenciale”, ka thënë Ibrahimi.

KOHA e ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë rreth mungesës dhe kohës kur do të bëhet furnizimi i radhës, porse nuk ka marrë përgjigje.

Jozyrtarisht, KOHA mësoi se tenderi për sigurimin e infuzioneve ka dështuar qe tri herë shkaku i ndryshimit të çmimit.

Kosova është mes vendeve të pakta në Evropë që nuk e ka të rregulluar me ligj çmimin e barnave. Ndonëse Projektligji për rregullimin e çmimit të produkteve mjekësore ishte i përfshirë në Programin Legjislativ për vitin 2022 dhe se Qeveria e kishte në plan për ta miratuar deri më 30 shtator, deri më tani kjo nuk është realizuar.