Arbëri

Hyseni: Kërkesa për Asociacionin - më shumë prej SHBA-së sesa prej Serbisë

Zgjim Hyseni nga Partia Socialdemokrate (PSD), ka thënë se kërkesa për Asociacionin e komunave me shumicë serbe sot vjen më shumë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës sesa prej Serbisë.

Hyseni ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së të enjten se mënyra se si shihet sot veriu, ka shërbyer që të rritet kërkesa për Asociacionin.

“E vetmja mënyrën qysh e sheh ti veriun është përmes hekurit dhe kërbaçit. Kjo ka shërbyer që të rritet kërkesa për Asociacionin. Sot kërkesat për Asociacionin nuk janë vetëm prej Serbisë, por gjithnjë e më shumë prej SHBA-së. Sot nuk është më diskutimi a bëhet a jo Asociacioni, sot është diskutimi se a bëhet para planit franko-gjerman apo në kuadër të tij, apo si ka për të funksionuar”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij, tensionet në veri po bëhen për ta tërhequr vëmendjen prej koncesioneve që po bëhen.

“Kosova ka bërë dëm pasi ka hyrë në veprime të pamenduara dhe kemi degraduar në pozicion. Sot nuk ke absolutisht në veri asgjë që mund ta quash shenjë, qoftë edhe simbolike të Kosovës”, ka shtuar Hyseni.

Ai ka shtuar se kryeministri Kurti ka ekstremizëm në vlerësimin e situatës.

“Dje ata shpallën tradhtarë prokurorin dhe gjykatësin, sot kryeministri Kurti shpalli triumfin që po hiqen barrikadat. Kurti sot deshi të na e paraqesë heqjen e barrikadave si triumf të Kosovës. Kemi parë një lloj ekstremizmi, një lloj absolutizmi në vlerësimin e situatës. Pretendimi për të ndërtuar një lloj universi paralel e ka një parakusht, ky parakusht është që duhet t’i konsiderosh njerëzit si injorantë. E pamë edhe njëherë të shpërfaqur atë që e kemi ditur. Nuk është mirë që çdo ditë të na vërtetohet se nuk kemi aspak qasje atje sepse kjo e dobëson edhe pozicionin negociator”, është shprehur Hyseni.