Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, për marrëveshje të fshehtë më presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, për heqjen e barrikadave.
Në një konferencë për media të mbajtur të enjten, ai ka thënë se në këmbim të heqjes së barrikadave, Qeveria ka liruar ish-policin serb të dyshuar për terrorizëm Dejan Pantiq.
“Është evidente që kryeministri Albin Kurti ka pasur marrëveshje të fshehtë me presidentit e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për heqjen e barrikadave, duke u pajtuar me lirimin e të akuzuarit për terrorizëm, Dejan Pantiq. Por përveç tij kanë liruar edhe të tjerë siç ishte rasti i Nikola Nedeljkoviq”, ka theksuar Krasniqi.
Ai ka akuzuar Qeverinë për amnistim të bandave kriminale në veri. Sipas tij Kurti nuk e di se kur do të hiqen barrikadat e as kur do të vendosen të rejat.
“Për që ka negociata të fshehta kjo është evidente tashmë. Nuk ka ndodhur dje rastësisht lirimi i Pantiqit dhe Nedeljkoviqit, nuk ka ndodhur rastësisht amnistimi i bandave kriminale, pajtimi i kësaj Qeveria që dhunuesit e shtetit tonë t’i lë të lirë e të mos i ndjek, sepse kjo po duket që ka qenë shpagimi për heqjen e barrikadave”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka akuzuar Kurtin për papjekuri politike. “Ajo që është evidente tashmë është fakti që papjekuria totale e kryeministrit Kurti, qasja e gabuar në raport edhe me partnerët ndërkombëtarë, e mbi të gjitha papërgjegjësia e tij për t’i ushtruar obligimet ligjore dhe kushtetuese që i ka, kanë sjellë në një situatë të turpshme për vendin tonë, ku presidenti i Serbisë nga Rashka, na tregon se si e çka do të ndodh në territorin e Republikës së Kosovës në veri”, është shprehur Krasniqi.
Sipas tij kjo është e pashembullt, e paprecedent dhe se nuk ka ndodhur kurrë me herët në historinë e Kosovës.
“Fakti që presidenti Vuçiq vendos se kur mund të ketë lëvizje të lirë në territorin e Kosovës, është fakt që duhet ta shqetësojë çdo qytetar të Kosovës, por më së shumti duhet ta shqetësoi kryeministrin e vendit. Dhe ky shqetësim nuk po duke asgjëkund, Nuk është dukur as këto tri javë që bandat kriminale të kontrolluara nga Vuçiq e kanë mbajtur peng shtetin dhe sovranitetin në veri të vendit”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka folur edhe për mundësinë e nisjes së një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë.
“Mocioni nuk bëhet vetëm sa për sy e faqe. Bëhet kur ke vërtetë votat. Fatkeqësisht për vendin tonë, sot në Kuvendin e Kosovës, si pasojë e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2021, Kurti ka dominancë totale në numër. Krejt bashkë si opozitë kemi 40 deputetë. Mjaftojnë për nismë, por s’kemi 61 votat e nevojshme për ta rrëzuar Qeverinë. Kur e kemi shenjën më të vogël që mund ta bëjmë këtë, atëherë e nisi mocionin e mosbesimit. Është shërbimi më i madh që mund t’i bëjë këtij vendi, me përfundu këtë qeverisje të Albin Kurtit. Por, sot nuk është e mundur kjo”, ka theksuar Krasniqi.
Krasniqi: Lista e dështimeve të Qeverisë Kurti 2 lë në hije çdo sukses eventual
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në konferencën e mbajtur të enjten, ka thënë se viti 2022 për Kosovën, ka qenë vit i dështimit në energji, ekonomi, arsim, diplomaci dhe shëndetësi.
Ai ka thënë se ky vit mund të përshkruhet me tri karakteristika: “vit i stagnimit ekonomik përbrenda dhe inflacionit rekord”, “vit i pasigurisë sociale për qytetarë dhe i ikjes së të rinjve”, dhe “vit i dështuar politik për shtetin dhe izolimit nga jashtë”.
Krasniqi tha se kjo gjendje është rezultat i keqqeverisjes së Kurtit dhe kabinetit të tij qeverisës, të cilët sipas tij veçse i kanë thelluar krizat duke e tërhequr krejt Kosovën në një gjendje depresioni kolektiv e degradimi shtetëror.
Ai ka akuzuar Qeverinë për shumë dështime.
“Lista e dështimeve të Qeverisë Kurti gjatë vitit 2022, është e gjatë dhe lë në hije çdo sukses eventual e rrethanor që ka mundur të ndodhë, e të cilin PDK e ka mirëpritur, është shprehur Krasniqi.
Krasniqi ka potencuar se Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konsistent për t’ua lehtësuar familjeve kosovare përballjen me inflacionin, madje ka refuzuar edhe iniciativat e idetë se si mund ta bëjë një gjë të tillë.
Ndërsa, sa i përket arsimit, ka thënë se kryefjala për këtë sektor në vitin 2022 ishte greva. Krasniqi ka theksuar se Kosova gjatë vitit 2022, ka mbetur pa politikë të jashtme reale.
Sipas Krasniqit këtë vit qytetarët e Kosovës kanë parë një shumicë politike që ka anashkaluar drejtësinë dhe ligjin e ka bërë vetë, duke sulmuar mediat, mendimin kritik, e linçuar këdo që mendon ndryshe.
Ai ka theksuar se Kurti dhe Qeveria e tij janë përpjekur të përvidhen në ngjarje të caktuara duke tentuar t’i paraqesin si të arritura të tyre. Krasniqi ka deklaruar se një ndër fenomenet më tragjike të këtij viti ishte largimi masiv i të rinjve nga Kosova.
Kryetari i PDK-së ka thënë se ky vit do të mbahet mend për shëndetësi pa ministër dhe përplot skandale.