Arbëri

Lekaj: Kurti ka bërë hapa të gabuar në veri, qytetarët atje në mëshirë të Zotit

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka adresuar një sërë kritikash ndaj kryeministrit Albin Kurti, lidhur me situatën në veri.

Lekaj për KosovaPress tha, se hapat që i ka ndërmarrë Kurti në atë pjesë janë të gabuara, duke lënë qytetarët atje në mëshirë të fatit.

“Hapat që i ka marrë z. Kurti për atë territor janë kanë tërësisht të gabuara edhe pse po e them se politika e Beogradit çdoherë ka menduar të krijojë kriza që ato t’i përdorë sa i përket marrëveshjes përfundimtare dhe sidomos për Asociacionin. Një çështje teknike e targave na ka sjellë këtu ku jemi”, thotë ai.

Lekaj i cili është edhe deputet i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, thotë se moskoordinimi i Kurtiti me aleatët ndërkombëtarë e ka sjellë “Kosovën në ketë gjendje, duke mosmenaxhuar me 18 për qind të territorit në pjesën veriore”.

“Ai nuk ka dialog, nuk menaxhon një territor 18 për qind të Kosovës dhe me vendimet e tij, përkundër këshillave të ShBA-së dhe miqve tanë ndërkombëtar për targat, ne iu kemi dhënë hapësirë atyre që të veprojnë kështu. Ne nuk është dashur atyre që t’iu japim këtë levë që të përdorin si monedhë sa i përket dialogut. Kemi ardhur ku kemi ardhur, largim të kryetarëve, gjyqtarëve, prokurorëve, këshillave komunalë. Qytetarët atje në mëshirën e Zotit dhe jo të atyre që duhet të kujdesen. Ju po e shihni se si Policia e Kosovës ka mbetur e ngujuar dhe s’ka ndonjë veprim", shton ai.

Duke folur për planin franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, deputeti opozitarë është skeptik se mund të arrihet një marrëveshje deri në mars të 2023, ashtu siç është paralajmëruar.

“Me këtë qasje edhe të Qeverisë dhe qëndrimit të Serbisë dyshoj se do të ketë ndonjë marrëveshje sa i përket Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, ne kemi thënë se çfarëdo marrëveshje pa njohje e prolongon e stërgjatë edhe 10 vjet të tjera marrëveshjen përfundimtare. Ne duhet të qëndrojmë dhe insistojmë që të ruhet territori dhe njohja të jetë në marrëveshje. Kështu t’i japim një herë e përgjithmonë fund kësaj çështje. Përndryshe nëse shkojmë me marrëveshje të tilla ku nuk është njohja do të stërgjatët prapë dialogu”, deklaron Lekaj./KSP