Arbëri

Radosavljeviq: Te barrikadat janë ata që e mbrojnë Qeverinë, naivët dhe të frikësuarit

Ka tre lloje njerëzish te barrikadat: Ata që e mbrojnë Qeverinë e Kosovës, naivët dhe të frikësuarit, ka thënë Nenad Radosavljeviq, pronar i TV Mir, i cili ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës.

Në mesin e bashkëqytetarëve të tij, ai ka thënë se nuk ka hasur në ata që kanë qëndrim pozitiv për barrikadat.

Ndërkohë, ka nxjerrë në pah absurditetin e barrikadave: Mësuesit nga barrikadat mbajnë mësime online për nxënësit e shkollave të mesme, të cilët në të njëjtën kohë e bllokojnë rrugën e tyre për në shkolla, raportoi Kossev.

“Pikë së pari, këta janë njerëzit që e ruajnë qeverinë. Ata janë punësuar për ta mbrojtur Qeverinë. Këta janë ata që janë pranuar nëpër organizata të ndryshme sigurie – mbrojtje civile, etj, dhe janë pranuar pa procedura dhe pa numër të kufizuar, dhe pikërisht këto struktura janë problemi më i madh, dhe në anën tjetër janë njerëzit naivë të cilët janë bindur për një kohë të gjatë se ky është një veprim luftarak patriotik për mbijetesën e tyre. Kjo është gënjeshtër që serviret për një kohë të gjatë, dhe kategoria e tretë janë njerëzit që janë të frikësuar sepse edhe këtu njerëzit shkojnë në zgjedhje me frikën se mos sakrifikojnë veten nëse votojnë për dikë tjetër, sepse çdo gjë që ndodh është bërë nga frika”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se shumë serbë në veri kanë frikë për punët e tyre.

“Shumë janë punësuar për një periudhë të caktuar, dhe ata që janë punësuar për një periudhë të pacaktuar kohe, sepse të fuqishmit që kanë futur frikën si formë funksionimi, ata menaxhojnë disa shërbime që mund t’ua japin atyre një punë”.

Një tjetër arsye që po ashtu çon njerëzit në barrikada, Radosavljeviqi e sheh në faktin se ka shqetësime në mesin e shumë qytetarëve se ata do të fajësohen si jopatriotë nga grupi i parë, nëse nuk shkojnë te barrikadat.

Sidoqoftë, për pjesën më të madhe, është frika nga kërcënimet, madje kërcënimet për konfrontim fizik deri te krimet e rënda, shtoi ai.

“Gjatë këtyre ditëve skllavërie, nuk kam pasur mundësinë të takoj njerëz që flasin pozitivisht për barrikadat, dhe të gjithë thonë se janë bërë për të dëmtuar dhe se nuk mund të sjellin asnjë përfitim përpos dëmit të rëndë, problemeve të mëdha”.

Nga ana tjetër, ka kritika për lëvizjet e bëra nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk prisnim më mirë, por ai bëri më shumë në atë drejtim se të tjerët para tij”.

Ai ka thënë se prania e njësive speciale është kërcënim.

“Veçanërisht për arrestimet. Metoda e arrestimit mund të jetë ndryshe, pa ekzagjerim, ka njerëz me familjet e tyre. Mënyra si bëhet është e papërshtatshme, veçanërisht në rrethanat ku çdo shkëndijë mund të çojë në probleme më të mëdha”.

Duke folur për daljen e serbëve nga institucionet, Radosavljeviq ka theksuar se Aleksandër Vuçiqi ka bërë një lëshim me daljen nga institucionet, mbi të gjitha kur vjen puna te dalja nga gjyqësori dhe policia, të cilën Radosavljeviqi e quajti si diçka që “nuk ka kuptim”.

Për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ai deklaroi se mjediset ku jetojnë serbët si në veri ashtu edhe në jug janë shumë të dobëta, prandaj shtoi se është e rëndësishme të mirëpritet çfarëdo gjëje që bashkon dhe organizon komunat.

“Çdo gjë që bashkon interesat tona të përbashkëta jo vetëm në veri, por në të gjitha komunat me shumicë serbe, mundësia e të pasurit liri për vendime në sektorë të ndryshëm të jetës është shumë e dëshirueshme dhe e rëndësishme sepse ne jemi shumë të ndarë dhe të dobët. Janë pak nga ne dhe nëse nuk kemi një mënyrë për t’u organizuar dhe ndihmuar njëri-tjetrin, ne nuk kemi mënyrë për të mbijetuar”.