Arbëri

Rreshtimi i Teuta Rugovës pas PAN-it

Të gjithë sytë janë kthyer kah Teuta Rugova, e cila ka hyrë pothuajse e fundit në sallë. Madje ajo ka ardhur edhe pas deputetëve të koalicionit PAN që u vonuan rreth 1 orë e gjysmë.

Presioni më i madh ka qenë mbi të, pikërisht pse ka ndërruar qëndrimin prej partisë nga vjen, duke i dhënë votë koalicionit PAN që në propozimin e parë, shtyrjen e votimit të kryetarlamentarit.

Sipas rregullores ajo do të duhej ta ndihmonte Adem Mikullovcin si deputeti më i vjetër në udhëheqjen e seancës, por një detyrë të tillë nuk e kreu.

Gjatë ditës së sotme, ajo u pa më e afërt me kolegët nga PDK-ja.

Ndërkohë, prania e vëllait të saj Ukë Rugovës, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe i akuzuar për krim të organizuar, u pa si presion mbi të.

Vota e saj për propozimin e PAN-it, ka irrituar kolegët nga LDK-ja që nuk kanë hezituar ta cilësojnë edhe si tradhtare.

Shefi i partisë së saj LDK-së, parti kjo të cilën në vitet e 90-ta e themeloi i ati Ibrahim Rugova i kujtoi asaj se po cenon vlerat sublime të LDK-së, duke shkelur rregullat.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, shkoi edhe më larg. Ai bëri një fotografi para përmendores së presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova mbi të cilën shkroi:

“Një dorë e ngritur sot në Kuvend na bëri të skuqemi nga turpi”.

Deputetja më e re e Kuvendit njihet se ka ndërruar disa herë qëndrimet për votën e saj.

Në ditët e fundit Teuta Rugova ka qenë deputetja më e përfolur, për shkak të ndryshimit të qëndrimit në raport me koalicionin PAN.

Ditë më parë, ajo priti në shtëpi kandidatin e PAN-it për kryeministër Ramush Haradinaj. Nëpërmjet një statusi në Facebook kërkoi nga LDK që ta votojë PAN-in por më vonë tha se u keqkuptua dhe se do të votojë ashtu siç do të votojnë deputetët e LDK-së.

Përfundimisht sot qartësoi gjithçka, derisa nga salla doli krah për krah me deputeten Blerta Deliu Kodra.