Arbëri

Krasniqi Kurtit: Caktoje ministrin e Shëndetësisë, sektorin e ka kapluar krimi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar për rastin e foshnjës së vdekur që dyshohet se është futur në rrobalarëse në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

Ai i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti të mërkurën që ta caktojë sa më parë një ministër të Shëndetësisë, derisa shtoi se sektorin e ka kapluar krimi.

Deputeti i PDK-së pyeti në Facebook se pse është tentuar të fshihet rasti në fjalë, ndërsa shtoi se “a i ka mbetur fije morali dikujt në Qeveri”.

“Edhe çka tjetër duhet me ndodhë në Kosovë, që kjo Qeveri me marrë seriozisht shëndetësinë? Ku është ministri? Ku është drejtori i SHSKUK-së? Pse është tentuar që të fshihet ky rast? Vetëm tri javë më parë një grua u vra në oborrin e një institucioni shëndetësor publik. A i ka mbetur fije morali ndokujt në këtë Qeveri, apo të gjithë shikojnë vetëm postet dhe privilegjet personale? Caktojeni atë ministër sa më shpejtë, Kryeministër e dilni zot pacientëve. Krimi ta ka kapluar sektorin. I shokuar”, shkroi Krasniqi.

Për rastin ka reaguar edhe deputetja Blerta Deliu-Kodra.

Ajo shkroi në Facebook të mërkurën mbrëma se Kosova tash e 73 ditë s’ka ministër të Shëndetësisë.

“Skandal pas skandali e krim pas krimi, Kosova 73 ditë pa ministër të shëndetësisë”, shkroi Deliu-Kodra.