Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias, të martën do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë, ku do të pritet nga homologia e tij kosovare, Donika Gërvalla.
Vizitën e Dendiasit e ka bërë të ditur dikasteri të cilin e drejton, nga ku është bërë e ditur se një ndër temat kyçe do të jetë dialogu midis Kosovës dhe Serbisë.
“Deklaratat e përbashkëta për shtypin janë planifikuar të bëhen pas përfundimit të bisedimeve të zgjeruara, rreth orës 11:30 me orën greke. Më pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të shtrojë një darkë për nder të ministrit të Punëve të Jashtme”, thuhet në njoftim.
Diskutimet raportohet se do të fokusohen edhe në bashkëpunimin Prishtinë-Athinë, në sektorë si ekonomia, energjia, kultura dhe shëndetësia, si dhe zhvillimet rajonale.
Dendias për herë të fundit ka vizituar zyrtarisht Kosovën gjatë qershorit të këtij viti.