Hulumtuesi në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), Dardan Abazi, ka thënë se reduktimet e energjisë po i dëmtojnë bizneset, familjet dhe shërbimet publike. Ai ka theksuar se ka raste kur kompanitë energjetike po keqpërdorin fazat e emergjencës për të imponuar reduktime.
Abazi ka shtuar se Qeveria është e papërgatitur për krizën energjetike dhe pret të jetë një dimër i vështirë për shkak të çmimeve të larta të energjisë në tregun ndërkombëtar, reduktimeve dhe mungesës së energjisë elektrike në Kosovë.
“Reduktimet e energjisë prekin gjithë strukturën zhvillimore të vendit, ekonominë e vendit, familjet, shërbimet publike dhe të gjithë sektorët e vendit, sepse ka raste që kompanitë e energjisë po keqpërdorin këto faza të emergjencës për të imponuar reduktime, qoftë në emër të punimeve teknike, qoftë në emër të ngarkesave të rrjetit, në atë mënyrë që i shkelin të drejtat e konsumatorëve edhe më shumë”, tha Abazi.
Në anën tjetër, zyrtarë të KEDS-it kanë mohuar se ka keqpërdorime për sa i përket ndalesave në emër të punimeve. Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala tha për se aktualisht ka furnizim të mjaftueshëm të energjisë elektrike dhe sipas tij nga muaji gusht nuk ka kufizime të energjisë elektrike.
Buzhala shtoi se për të gjitha ndalesat që bëhen ka punime dhe investime.
“Ka furnizim mjaftueshëm, nuk ka kufizime të energjisë elektrike që nga muaji gusht. Të gjitha ndalesat që bëhen ka punime, intervenime, investime dhe ju mund ta verifikoni këtë vetëm zgjidheni ju një ndalesë. Kërkojmë nga INDEP dhe nga secili subjekt që të flasë vetëm me fakte e jo me hamendesime”, është përgjigjur Buzhala.
Sa i përket masave qeveritare për përballimin e krizës energjetike, Abazi ka thënë se Kosova është e papërgatitur. Ai deklaroi se masat emergjente nga Qeveria janë më tepër për të arsyetuar reduktimet.
“Jemi njëjtë të papërgatitur sikur që ishim vitin e kaluar dhe masat të cilat po i ndërmerr Kuvendi i Kosovës për shpalljen e emergjencës në sektorin e energjisë është më tepër për të arsyetuar reduktimet, sepse Qeveria në një mënyrë ka vendosur që ne ta paguajmë me terr çfarëdo krize të mundshme të energjisë, e të mos ketë shtrenjtim tjetër të tarifave të energjisë pa çka se në modelin e tanishëm kjo politikë është e paqëndrueshme, sepse kosto e reduktimeve është gjithmonë më e lartë se sa çfarëdo kosto tjetër e shtrenjtimit të energjisë”./ KP