2 perditesime
10:43

Situata e qetë në veri, KFOR-i e EULEX-i disa metra larg barrikadave

Situata në veri të dielën është relativisht e qetë.

KFOR-i dhe EULEX-i janë duke qëndruar disa metra larg barrikadave që janë vendosur në Rudar nga qytetarët serbë. Janë vendosur disa barrikada. 

Në këto barrikada janë vendosur edhe tenda ku kanë fjetur gjatë natës barrikaduesit.

Gjatë natës është raportuar për hedhje të shok-bombave.

Ndaj këtyre sulmeve ka reaguar edhe EULEX-i, që ka thënë se një njësit i tij është sulmuar me shok-bombë. EULEX-i u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të sjellin para drejtësisë fajtorët.

Ndërkohë kanë vazhduar sulmet edhe ndaj gazetarëve. Ekipi i KosovaPressit është ndjekur nga personat e maskuar, siç është raportuar nga ky medium.


Vazhdon të qëndrojë barrikada rrugës për Bërnjak

Po vazhdon të qëndrojë e bllokuar rruga për Bërnjak.

Në mesin e rrugës serbët lokalë kanë vendosur një kamion, duke e bllokuar tërësisht mundësinë për kalim.

E bllokuar mbetet edhe rruga në Jarinjë.

Image
09:54

Rrugët në veri vazhdojnë të jenë të bllokuara, u raportua për shpërthime gjatë natës

Mëngjesi i së dielës është i qetë në veri të Kosovës, por rrugët vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Kështu i tha Radios Evropa e Lirë - drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.

KFOR-i dhe EULEX-i janë duke e monitoruar situatën. Ndërsa pak njerëz shihen aktualisht në barrikadën në Rudarë të Zveçanit.

Pasditen e 10 dhjetorit në Rudarë, serbët lokalë u mblodhën në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq nga radhët e komunitetit serb. Ata vendosën barrikada në këtë vend.

Si rrjedhojë, Policia e Kosovës mbylli rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë, duke e konsideruar këtë vendim si masë paraprake të sigurisë./REL

08:35

Natë e tensionuar në veri, shpërthime e të shtëna armësh në disa lokacione

Situata e përgjithshme e sigurisë gjatë natës së mbrëmshme në veri të vendit ka qenë e tensionuar.

Dy shpërthime të fuqishme, një rreth orës 1:30 pas mesnatës dhe tjetra në ora 3:00 janë dëgjuar afër Zveçanit, ndërsa në drejtim të Zubin Potokut ka pasur edhe të shtëna armësh, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Nuk dihet nëse ka pasur të lënduar apo dëme materiale, si dhe kush ka qenë cak i këtyre shpërthimeve e të shtënave me armë.

Sipas këtyre burimeve, barrikadat janë përforcuar gjatë natës me makineri të rëndë, sidomos në fshatin Soqanicë dhe Rudare, ndërsa janë vendosur edhe tenda për personat të cilët po qëndrojnë tek barrikadat.

Ekipi i KosovaPress-it është penguar  rreth orës 5:00 të mëngjesit afër Rudares nga persona të maskuar, të cilët sapo kanë vërejtur prezencën e gazetarëve kanë filluar t’i ndjekin ata duke i sharë dhe hedhur gurë në automjetin e tyre.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë prezentë nëpër lagjet e banuara me popullatë të përzier në veri, duke ruajtur qetësinë dhe rendin publik, si dhe duke ofruar siguri për të gjithë banorët pa dallim./KSP