Arbëri

Tensionet shtyjnë zgjedhjet, serbët u kthehen barrikadave

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas konsultimit me partitë politike e organet e sigurisë në vend, ka vendosur që zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës t’i shtyjë për 23 prill të vitit të ardhshëm. Ky vendim është marrë për shkak të tensionimit të situatës nga serbët lokalë, të cilët, përveç që po kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve, ka disa ditë që kanë nisur sulme mbi institucionet e zyrtarët e shtetit të Kosovës

Zgjedhjet në katër komunat veriore me shumicë serbe, që do të mbaheshin më 18 e 25 dhjetor, u shtynë për 23 prill të vitit të ardhshëm. Shtyrjes së zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq i parapriu situata e tensionuar në veri tash e disa ditë, ku me mjete të dhunshme po kundërshtohet mbajtja e zgjedhjeve. Vendimin për shtyrje presidentja Vjosa Osmani e mori të shtunën pas një takimi konsultativ që mbajti me partitë politike. Osmani ka thënë vendimin e ka marrë edhe bazuar në raportet e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë dhe të Policisë së Kosovës për vlerësimin e rrezikshmërisë në atë pjesë të vendit. Vendimin për ta zhvendosur datën e zgjedhjeve e kanë mbështetur edhe vendet e QUINT-it. Pavarësisht kësaj, serbët të shtunën barrikaduan rrugët e sulmuan Policinë e Kosovës me armë zjarri, duke kundërshtuar arrestimin e një ish-zyrtari policor serb, i cili u kap të shtunën nga Policia e Kosovës. Pas këtyre zhvillimeve e këtij tensioni në veri, presidenti i Serbisë ka thënë se do t’i kërkojë KFOR-it t’ia lejojë që ushtrinë e Serbisë ta dërgojë në Kosovë.

Ligji për Zgjedhjet Lokale në Kosovë nuk e parasheh mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve, por në një arsyetim dhënë ditë më parë, presidentja është shprehur se nëse merret vendimit për ta shtyrë datën e zgjedhjeve, do të bëhet në bazë të opinionit të Komisionit të Venecias, që, siç ka thënë ajo, para se të trajtohet në KQZ e të ketë konsultim me partitë, duhet të bëhet vlerësimi nga institucionet e sigurisë për kushtet e rrezikshmërinë në zonën ku mbahen ato.