Shqetësuese është vlerësuar gjendja në respektimin e të drejtave të njeriut në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, e cila në vendin tonë u shënua më një tubim me moton “Qohu për të drejtat e njeriut”. Aty u kërkua zgjimi dhe mobilizimi i institucioneve shtetërore për të mbrojtur të drejtat e njeriut e u përmendën vrasjet e fundit të grave.
Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut është shënuar më një tubim para Teatrit Kombëtar të Kosovës me moton “Çohu për të drejtat e njeriut”, organizuar nga avokati i popullit, Naim Qelaj, së bashku me shoqërinë civile.
Avokati i popullit u shpreh se gjendja e të drejtave të njeriut në vend vazhdon të jetë pamjaftueshëm në përputhje me të drejtat dhe liritë themelore të përcaktuara në Kushtetutë dhe në instrumentet ndërkombëtare.
Ai tha se edhe përkundër progresit të arritur në respektim të drejtave të njeriut, mos diskriminimit dhe barazisë vazhdon të jetë shqetësuese.
“Shqetësuese vazhdon te mbetet cenimi i së drejtës për gjykim te drejtë dhe në kohë të arsyeshme, për shkak te zvarritjes se procedurave, mungesës së një sistemi efektiv të mjeteve juridike e gjyqësore, paqartësitë në interpretimin uniform të së drejtës dhe mungesa e arsyetimit të duhur të vendimeve gjyqësore”, ka thënë Qelaj.
Avokati i Popullit kërkoi nga autoritetet që t’i përmbushin detyrimet dhe përgjegjësinë që ka shteti për masat që duhet ndërmerren në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Aktivistja e të drejtave të njeriut, Marigona Shabiu, ka kujtuar Hamide Magashin dhe shumë gra të tjera, të cilat janë vrarë nga burrat e tyre.
Theksoi se përmes tubimit shprehin protestën e kërkesën për drejtësi për gratë që ishin viktima të femicidit.
“Përmes këtij tubimi po synojmë që të kërkojmë llogaridhënie e përgjegjësi nga institucionet publike, të cilat kanë obligim kushtetues për të mbrojtur jetët e grave dhe për t’i mbrojtur e promovuar të drejtat e njeriut, për të gjithë pa dallim e sidomos për grupet, të cilat historikisht dhe padrejtësisht janë të diskriminuara në shoqërinë tonë. Si shoqëri civile jemi jashtëzakonisht të shqetësuar me situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë, e posaçërisht të grupeve të margjinalizuara, si dhe me situatën e sigurisë”, ka thënë ajo.
U bëri thirrje institucioneve që të mobilizohen për parandalimin e shkeljeve sistematike të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Data 10 dhjetor është shpallur Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në përkujtim të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e miratuar më 10 dhjetor 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.