Arbëri

Dugolli: Bandat në veri u trazuan pasi Qeveria i shpalli luftë krimit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se sulmet në veri janë të lidhura me luftimin që ai thotë se Qeveria e Kosovës po ia bën kontrabandës, korrupsionit, trafikimit të narkotikëve dhe krimit në përgjithësi në atë pjesë të vendit.

Qe tri ditë në veri të Kosovës ka pasur sulme me shok-bomba e edhe me armë ndaj zyrtarëve policorë dhe zyrtarëve të Komisioneve Komunale Zgjedhore, që shkuan në katër komunat në veri në përpjekje për t’u organizuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, të parapara për 18 dhjetor. Të enjten, një polic u plagos, ndërsa të premten u sulmuan edhe disa gazetarë.

Një arsye shtesë për sulmet e fundit në veri, Dugolli e ka konsideruar mosnënshtrimin e popullsive civile serbe karshi presionit të tyre.

“Situata në veri është tensionuar. Është situatë jo e lehtë. Kjo po dihet se nga vjen. Bandat kriminale për një kohë të gjatë në atë vend kanë ushtruar terror. Tani duket sikur i janë ngushtuar rrugët dhe manovrimet, pasi Qeveria i ka shpall luftë kontrabandës, korrupsionit, trafikimit të narkotikëve dhe kështu me radhë. Tani ata janë trazuar. E keqja është se në këtë trazim ata po mund ta përfshijnë edhe popullatën civile serbe. Fatbardhësisht, ata nuk i janë nënshtruar këtij presion. Kjo mund të jetë një arsye shtesë pse ata mund ta kenë humbur durimin e tyre”, ka thënë Dugolli në “Interaktiv” të KTV-së.

Deputeti i partisë në pushtet ka theksuar se pavarësisht presionit të ndërkombëtarëve, mbajtja apo jo e zgjedhjeve në katër komunat veriore do të vendoset nga raportet vlerësuese të institucioneve të sigurisë së Kosovës.

“Varet nga raportet e vlerësimit që dalin nga institucionet e sigurisë. Konform këtyre vlerësimeve, me siguri do të vendoset a do të mbahen apo shtyhen. Do të merret një vendim meritor. Vendimi final do të merret javën e ardhshme”, ka thënë Dugolli, duke shtuar se në këtë proces janë të interesuar të bashkëpunojnë me aleatët.

Dugolli ka këmbëngulur se veriu nuk do të jetë pjesë e dialogut me Serbinë.

“Nuk do t’i përfshijmë çështjet e brendshme të Kosovës në dialogun me Serbinë”, ka deklaruar anëtari i Komisionit për Siguri. Por për çështjen e targave, Dugolli ka thënë se ka qenë një marrëveshje e trashëguar dhe u është dashur të merren me të.

Dugolli e ka konsideruar planin franko-gjerman si një bazë të mirë, “mbi të cilin ndërtohen disa parime”.