Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar të premten në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë policin Ekrem Neziri, i cili u plagos një ditë më parë në veri.
Kurti ka njoftuar se Neziri është operuar me sukses dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Ka thënë se me të tillë zyrtarë mbahet shteti.
“Ekrem Neziri, polici që u plagos mbrëmë në veri të Kosovës, është operuar me sukses të plotë sot në QKUK. Vullnetin e kishte të fortë, kurse shëndetin e mirë. Me të këtillë zyrtarë mbahet shteti. Kriminelët do të ndiqen e dënohen”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Sulmet në veri ka nisur që nga e marta kur zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë, derisa kanë tentuar t’i hapin zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore, janë sulmuar me shok-bomba dhe të shtëna në ajër, nga persona të panjohur.
Të enjten nisi shtimi i forcave policore në atë pjesë të vendit, siç kishte kërkuar kryeministri Kurti.
Ndërkombëtarët ndërkohë po vazhdojnë të bëjnë thirrje që zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të shtyhen.
Policin e plagosur e ka vizituar edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Falënderues ndaj gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për shërbimin ndaj Atdheut, në këtë situatë të brishtë në veri të vendit. Policit të plagosur, Ekrem Neziri, i urova shërim të shpejtë. Falënderoj të gjithë ekipin mjekësor në QKUK për kujdesin ndaj tij. Kushdo që përballet me Policinë e Kosovës, të japë llogari para Drejtësisë!” ka shkruar Haradinaj në Facebook.