1 perditesime
13:29

Mjeku që e operoi policin që u sulmua në veri: I larguam një pjesë të metalit

Pjesëtari i Policisë së Kosovës që është plagosur të enjten në veri është jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohet në Qendrën Klinike dhe Universitare. Ai është pranuar në Emergjencë rreth orës 8 e 30 të mëngjesit.

Sipas mjekëve që e kanë trajtuar, polici është në gjendje stabile. Mjeku kujdestar, Avdush Bajgora ka treguar se pas ekzaminimeve është konstatuar se ai ka pasur pjesë të metalit në pjesën e kraharorit, që dyshohet të jetë predhë e plumbit.

“Është pranuar rreth orës 8 e 30 minuta në gjendje stabile. Në pranim pacienti është monitoruar. Parametrat vitale kanë qenë të gjitha stabile, pastaj janë bërë disa ekzaminime të tjera. Është bërë CT e kokës me që rast është konstatuar se te pacienti kemi pjesë të metalit apo predha në regjionin e gjëndrës parotride si dhe në regjionin e kraharorit. Pastaj gjithashtu në bazë të analizave biokimike dhe hematologjike është konstatuar se pacienti është stabil dhe pacienti në këtë gjendje i është dërguar Kirurgjisë Torokale ku është bërë intervenimi”, ka thënë Bajgora.

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci, që edhe ka operuar policin, pas operacionit, ka deklaruar se kanë intervenuar duke larguar pjesën metalike dhe se nuk i janë dëmtuar pjesët vitale. Ka thënë se polici do të jetë i hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale dhe pritet të lirohet pas dy ditëve.

“Sot në mëngjes jemi kontaktuar nga Emergjenca për shkak se kemi pasur një lëndim me armë zjarri dhe pas skanimit dhe diagnostikimit që i është bë këtij pacienti është vërejtur se në pjesën e majtë të kraharorit është vërejtur një pjesë metalike. Mandej është vu indikacioni për operacion dhe para pak minutave ne kemi nxjerrë një pjesë, një copë të huaj në pjesën e majtë të gjoksit. Është një lajm i mirë se kjo predhë nuk e ka kaluar hapësirën…. Do të thotë nuk i ka prekur organet vitale. Gjendja është stabile. Pacienti transferohet në repartin tim dhe presim më tutje”, ka deklaruar Kolgeci.

10:29

Polici i lënduar mbrëmë në Zveçan po trajtohet në QKUK

Polici i cili u lëndua të enjten para mesnatës pasi u sulmua në Serbovc të Zveçanit, është duke u trajtuar në QKUK.

Mbrëmë Policia e Kosovës u sulmua në këtë fshat dhe sipas njoftimit të Policisë sulmi kishte ardhur nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet me targa KM. Ndërkohë, u raportua se polici ishte lënduar lehtë.

“Si pasojë e incidentit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë. Njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje, për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në QKMF për ofrimin e ndihmës mjekësore”, thuhet në njoftimin e Policisë, të lëshuar në orët e para të së premtes.

Në tri ditët e fundit, Policia është përballur me sulme të vazhdueshme nga persona të panjohur, në kohën kur po bëhen përgatitjet që në katër komunat e veriut të organizohen zgjedhjet për kryetarë komunash. Të martën në Zubin-Potok dhe në Mitrovicë të Veriut, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë, derisa kanë tentuar t’i hapin zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore, janë sulmuar me shok-bomba dhe të shtëna në ajër, nga persona të panjohur. Si pasojë e kësaj atyre u është pamundësuar vazhdimi i procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri. Sulme në veri ka pasur edhe të mërkurën.