Arbëri

Gjermania kërkon shtyrjen e zgjedhjeve në veri

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se është i pajtimit me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, që zgjedhjet në veri duhet të shtyhen.

Rohde ka shkruar të premten në Twitter se situata aktuale nuk është në favor të mbajtjes së zgjedhjeve tani.

“Jam dakord me kolegun tim amerikan që zgjedhjet duhet të shtyhen. Është e qartë se situata aktuale nuk është e favorshme për mbajtjen e tyre tani”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Dy ditë më parë, edhe ambasadori amerikan, Hovenier, kishte shkruar në Twitter se nuk janë rrethanat e duhura për mbajtjen e zgjedhjeve këtë muaj në veri.

”Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se kushtet nuk janë krijuar në këtë kohë për zgjedhjet që do të mbahen më vonë këtë muaj në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të tregojnë përmbajtje”, pati shkruar Hovenier.

Të martën, në veri të Kosovës pati shpërthime të njëpasnjëshme me granata dore dhe shok-bomba. Sulmet nisën pas mbërritjes së zyrtarëve zgjedhorë nëpër komisionet komunale zgjedhore në komunat veriore për t’u përgatitur për zgjedhjet e jashtëzakonshme pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.