Arbëri

Mbajtja e zgjedhjeve në veri qartësohet “brenda 2-3 ditësh”

Zyrtarët e komisioneve komunale të zgjedhjeve në veri janë duke refuzuar që të angazhohen në organizimin e tyre, shkaku i situatës së sigurisë. Shkaku i tensioneve të fundit në katër komunat me shumicë serbe, në pikëpyetje është vënë edhe mbajtja e zgjedhjeve më 18 dhjetor. Por, e gjithë kjo, sipas presidentes Vjosa Osmani, do të marrë epilog brenda kësaj jave.

Çështje ditësh është definimi i mbajtjes apo jo të zgjedhjeve në komunat e banuara kryesisht me serbë, ka bërë të ditur presidentja Vjosa Osmani.

Për shkak të vakumit ligjor për shtyrjen e tyre, sipas Osmanit, shtyrja e zgjedhjeve mund të bëhet në bazë të disa kritereve të përcaktuara nga Komisioni i Venecias.

Duke shpjeguar rrjedhën procedurale, ajo ka thënë se kërkesa për shtyrjen e zgjedhjeve Presidencës i dorëzohet nga KQZ-ja, pas shqyrtimit të raportit të institucioneve të sigurisë për gjendjen në katër komunat veriore.

Pas kësaj, ajo konsultohet me partitë parlamentare e ato pjesëmarrëse në zgjedhje, e më pas merret vendimi.

“Nëse një kërkesë e tillë vjen pasi t`i dërgohet vlerësimi i institucioneve të sigurisë KQZ-së, si presidente natyrisht që unë do ta bëj vlerësimin tim dhe atë do ta ndaj me partitë politike, por patjetër duhet të ketë edhe konsensus, jo unanimitet të plotë ajo nuk kërkohet, por konsensus. Në qoftë se ka konsensus, një shumicë dërrmuese e partive politike që marrin pjesë në konsultime, atëherë ky do të jetë një vendim i përbashkët, pra kështu është pak a shumë procedura dhe besoj që në dy-tri ditët në vijim gjithçka do të qartësohet”, ka thënë Osmani.

Në pritje të këtij raporti mbi vlerësimin e sigurisë janë në Komisionin Qendror Zgjedhor.

E për shkak të situatës së krijuar, përfaqësues të subjekteve politike, anëtarë të komisioneve komunale zgjedhore janë duke refuzuar që të dalin në zyre.

Disa prej tyre kanë thënë se refuzojnë edhe nëse iu ofrohet siguri nga institucionet përkatëse.

“Sipas deklarimeve të zyrtarëve të KKZ-së, ata nuk do të shkojnë në zyre në këto rrethana pasi është në pyetje siguria fizike në njërën anë dhe në tjetrën është e pamundur si KKZ, duke pasur parasysh rrethanat e lartcekura. KKZ-të në Zveçan.. kanë deklaruar se edhe nën përcjelljen e policisë në këto rrethana refuzojnë të shkojnë atje”, ka thënë Burim Ahmetaj, kryeshef i Sekretariatit në KQZ.

Anëtarët e KQZ-së propozuan që zyrtarët që refuzojnë të zëvendësohen me të tjerët.

“Ata KKZ kanë deklaruar që nuk janë të gatshëm të shkojnë në këto komuna, të njëjtit duhet të largohen dhe të kontaktohen subjektet politike”, ka thënë Arianit Elshani, anëtar i PDK-së në KQZ.

“Ne po themi a po shkoni e ata po refuzojnë, a e di Burimi ku kanë për të shkuar, ku iu kanë siguruar zyrat. Është e vërtetë që 44 qendra janë pak, por ne s’po mundemi për t’i i siguruar 4 zyra si të sigurohen 44”, ka deklaruar Samit Hamiti i LDK-së.

“Deri në momentin kur organet kompetente na thonë se është e pamundur të mbahen zgjedhjet. Deri në atë moment ne e kemi për obligim për të ecur me planin tonë operacional. Nuk mundet të mbetet peng vetëm situata e krijuar, frika jonë. Ne të gjithë jemi, po pse jo të jemi edhe ne atje. Ne e kemi obligim për t’i organizuar zgjedhjet, derisa të thonë jo nuk ka mundësi”, ka thënë Sami Kurteshi i VV-së.

Por, në rast se edhe zyrtarët me të cilët zëvendësohen refuzojnë sërish, rrezikohet funksionimi i KKZ-ve.

Deri të enjten, sipas KQZ-së, askush nuk ka shprehur interesim për t’i vëzhguar zgjedhjet, ndonëse afati për aplikim përfundon më 13 dhjetor.

Zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin-Potokut pritet të mbahen më 18 dhjetor.