Arbëri

Kurti në Vjenë: Nuk mjafton ‘perspektiva në BE’, duhet një proces i përshpejtuar

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se Ballkani Perëndimor ka nevojë për një proces të përshpejtuar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Kurti foli në Samitin e socialdemokratëve për Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Vjenë të Austrisë.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës përgëzoi BE-në që në Samitin e Tiranës rikonfirmoi angazhimin e saj për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor.

“Kemi nevojë për proces të përshpejtuar për anëtarësim në BE, nuk mjafton ‘perspektiva në BE’. Është e vështirë të mobilizohen njerëzit nëse nuk ka afate të qarta kohore drejt anëtarësimit”, ka thënë ai.

Kurti theksoi se duhet të ketë më shumë ambicie për anëtarësim në BE.

“Tani është koha për të përshpejtuar procesin e zgjerimit, me më shumë iniciativa dhe investime në rajon që përfitojnë njerëzit”, shtoi Kurti.

Kryeministri i Kosovës po shoqërohet në kryeqytetin austriak nga kryetari i Gjilanit njëherish bashkëpartiaku te Lëvizja Vetëvendosje, Alban Hyseni.