Shkrepje armësh dhe shpërthime kanë ndodhur në Zubin-Potok dhe Mitrovicë të Veriut kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka tentuar t’i hapë zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore.
Funksionalizimi u pengua nga serbë lokalë, të cilët pastaj demoluan zyrat e KKZ-ve.
“Njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin-Potok e Mitrovicë të Veriut, me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore. Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin-Potokut dhe në Mitrovicë të Veriut janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Por, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se vetë policët ishin objekt i sulmeve në veri.
“Nga grupe të organizuara, me disa individë prej tyre të maskuar, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë janë sulmuar me shok-bomba dhe të shtëna në ajër, për ta ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare. Sulme të tilla si ky sot me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme”, tha Sveçla.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se funksionalizimi i zyrave nuk ka mundur të bëhet, shkaku i këtyre zhvillimeve në veri. Sipas tij, situata do të sqarohet, pas raporteve që do të dërgohen nga KKZ-të e të dyja komunave.
“Jemi në pritje të njoftimeve nga zyrtarët komunalë të zgjedhjeve, të cilët gjatë ditës së sotme, nën përcjelljen e policisë së Kosovës, kanë shkuar në zyrat e tyre, në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin-Potok, me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare, por kjo nuk ishte e mundur. Në këto raporte do të sqarohet situata e krijuar. KQZ-ja është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet e tjera”, tha Elezi.
Zgjedhjet për kryetarë komunash në veri janë shpallur, pas dorëheqjes së serbëve të kësaj pjese nga institucionet qendrore e lokale. Presidentja Vjosa Osmani e ka shpallur 18 dhjetorin datë të zgjedhjeve, por ato janë bojkotuar nga subjekti politik i komunitetit nga i cili banohet veriu – Lista Serbe.
Javën e shkuar, nga gara është larguar edhe kandidati i fundit serb, i certifikuar në KQZ.
E, së paku një kandidat shqiptar që është në garë ka thënë t’i jetë nënshtruar kërcënimit me jetë.
“Sot pata një kërcënim përmes një telefonate në gjuhën serbe, gjoja se ju nuk keni se çfarë të kërkoni në këtë komunë dhe ne to t’ju zhdukim dhe gjëra të tilla. E lajmërova atë rast në Polici”, tha Izmir Zeqiri, kandidat i PDK-së për kryetar të Zubin-Potokut.
Numri nga është telefonuar, sipas tij, ka qenë nga operatori IPKO, nga i cili është kërcënuar dhe ofenduar.
Situata në veri është përkeqësuar, prej kur serbët braktisën institucionet në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë për t’i konvertuar në RKS targat ilegale të lëshuara nga Serbia. Ndonëse një marrëveshje për këtë është mbërritur, serbët refuzojnë funksionalizimin e institucioneve.