Është publikuar deklarata e dakorduar në Samitin BE-Ballkan Perëndimor që u organizua të martën në Tiranë.
Në pikën nëntë të deklaratës është folur për dialogun Kosovë – Serbi, ku të dyja palëve u është kërkuar të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog, e të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Po ashtu kërkohet që marrëveshjet e dakorduara deri më tash të zbatohen pa vonesa.
“Ne vazhdojmë të mbështetim plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe për çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe presim progres konkret nga të dy palët drejt një marrëveshjeje të plotë dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Kjo është kritike për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar se palët munden të vazhdojnë rrugëtimet evropiane përkatëse. Ne përsëritim pritmërinë tonë të fortë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme të respektohen plotësisht dhe të zbatohen pa vonesë. Ne i nxitim të dy Palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet dypalëshe dhe mos marrin veprime të njëanshme dhe/ose provokuese që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë dhe retorikë që nuk shpie drejt dialogut. Ne u kujtojmë të dy Palëve përgjegjësinë e tyre të përbashkët për të siguruar paqen dhe stabilitetin”, thuhet në këtë pikë.
Ndërsa në pikën e parë të deklaratës që u dakordua në Samitin BE-Ballkan Perëndimor, gjithashtu theksohet se Përshkallëzimi i luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës po vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane dhe globale dhe nënvizon rëndësinë e partneritetit strategjik midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë deklaratë thuhet se BE-ja ripohon angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, siç theksohet, duke u bazuar te reformat e besueshme të partnerëve, te kushtëzimet e drejta dhe të rrepta dhe te parimi i meritës së secilit, gjë që thuhet se është në interesin e përbashkët.
“BE-ja përshëndet vendosmërinë e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur vlerat dhe parimet thelbësore evropiane, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Në këtë deklaratë thuhet se BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë të përbashkëta një numër sfidash të sigurisë që kërkojnë veprime të bashkërenduara, të cilat theksohet se janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. “BE-ja dhe Ballkani Perëndimor janë të vendosur të forcojnë më tej bashkëpunimin për çështjet thelbësore të sigurisë dhe mbrojtjes, edhe në nivel operacional. Në këtë drejtim, ne mirëpresim faktin që partnerët kanë dëshmuar përkushtimin e tyre ndaj Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes, duke kontribuar në misionet dhe operacionet e BE-së për menaxhimin e krizave”, thuhet në deklaratë.
Tutje theksohet se rrugët e migracionit në Ballkanin Perëndimor kanë parë rritje të ndjeshme që nga fillimi i vitit 2022. “Menaxhimi i migracionit mbetet sfidë dhe përgjegjësi e përbashkët, të cilën BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do ta trajtojnë së bashku, në partneritet të ngushtë. Për këtë qëllim, BE-ja ka rritur ndjeshëm mbështetjen e saj financiare për rajonin me më shumë se 170 milionë euro asistencë dypalëshe dhe rajonale të ofruar tashmë në kuadrin e IPA III”, theksohet në deklaratë.