Arbëri

“Biznesi” i studentëve me kartelat e konvikteve dhe mensës

Descriptive Text

Studentët të cilët janë banorë të konvikteve nëpërmjet rrjeteve sociale po i shesin ID kartelat e tyre për banim dhe mensë, raporton KosovaPress.

Janë mbi 2 mijë studentë të cilëve iu është refuzuar aplikacioni për t’u bërë banorë në konvikte, por disa nga ata që fituan atë të drejtë, po bëjnë pazare me ato kartela.

Drejtori për strehimin e studentëve në Qendrën e Studentëve, Isak Beha tha për KosovaPress, se konviktet janë në vazhdimësi të vëzhguara dhe të kontrolluar dhe ata studentë që kanë tendencë të manipulojnë me ID kartelat e tyre, përjashtohen nga konvikti.

“Ne në vazhdimësi përcjellim studentët, banorët tonë brenda konvikteve. Mund të ketë studentë të cilët tentojnë të keqpërdorin apo të manipulojnë me ID kartelat e tyre. Mirëpo çdo tentim, i kemi bërë me dije çdo studenti, ndëshkohet sipas masave që janë të parapara dhe janë në fuqi nga Qendra e Studentëve. Nëse një student kapet që ka përdor ID kartelën dhe ai student përjashtohet automatikisht nga konvikti, e humb të drejtën e banimit dhe të ushqimit dhe futet në listën e zezë dhe nuk do të ketë të drejtë të aplikojë për vitin e ardhëm për banim në konviktet”, tha ai.

Beha tregoi se kontroll të veçantë iu bëhet në konvikte me qëllim që të parandalohet keqpërdorimet.

“Ne si staf i Qendrës së Studentëve, në veçanti në konvikte, bëjmë kontrolle të vazhdueshme nëpër dhomat e studentëve në të gjitha konviktet me qëllim që t’i parandalojmë keqpërdorimet. Mundësia për të realizuar qëllimin është në raste individuale, mund të ceku dy raste gjatë javës së kaluar gjatë kontrolleve, kemi hasur në dy studentë të cilët kanë keqpërdorur ID kartelat e tyre dhe automatikisht studentët e tillë janë përjashtuar nga konvikti. Jemi institucioni shtetëror dhe jemi të obliguar të zbatojmë rregulloren e brendshme të cilat i kemi në fuqi. Çdo student vetëm atij i takon e drejta për ta shfrytëzuar vendin për të banuar dhe për t’u ushqyer në mensën e studentëve”, theksoi ai.

Sipas tij, me futjen në sistem të aplikimit online, ka ulje të madhe të mashtrimit.

“Derisa është bërë përmes sistemit online dhe aplikimi i sistemit online, në të kaluarën mund të themi se ndoshta numri ka qenë më i lartë. Mirëpo që nga marrja e këtyre masave dhe metoda e avancimit të komunës, mund të them se kjo dukuri është minimizuar në 99% të rasteve mos të them 100% që nuk është e pranishme. Qendra e Studentëve ka kapacitet rreth 4 mijë studentë, ndërsa këtë vit kemi refuzuar mbi 2 mijë kërkesa, është në pyetje mungesa e kapaciteteve për ta fituar të drejtën e banimit në konvikt”, tha ai.

Drejtori i mensës së studentëve, Fahri Osmani nuk mohoi tendencën e manipulimit me ID kartela, por shtoi se çdo tendencë me anë të digjitalizimit të mensës, evidentohet.

“Një tendencë të tillë studentët e kanë po thuajse rregullisht, mirëpo bëjë apel që të mos bien pre e manipulatorëve, ngase mensa e studentëve është e digjitalizuar nga një periudhë e gjatë dhe çdo tendencë e tillë kapet nga ana e stafit. Kemi raste të tilla që na paraqiten ngase stafi që iu shërben has në dukuri të tilla dhe me mirëkuptim, kulturë iu ofron që raste të tilla studentëve mos t’iu shërbejnë më kartela, ngase kapen që të gjithë dhe iu merret e drejta e ushqimit në mensë”, tha Osmani.

Studentja e Universitetit të Prishtinës, Majlinda Bytyqi, ka konsideruar se është absurde që studentët ta shesin vendin që e kanë fituar në konvikte. Këtë e ka lidhur me faktin se ajo nuk është pranuar në konvikt, edhe pse udhëton nga një Prizreni.

“Kam aplikuar në konvikt, fatkeqësisht nuk jam pranuar dhe jam e detyruar që të udhëtojë çdo ditë nga Prizren-Prishtinë për t’i vijuar ligjëratat. Sfidat kanë qenë të shumta. Besoj se shkak i mospranimit tim në konvikte është numri i kufizuar i banuesve. Kam hasur në disa grupe në rrjetet sociale dhe duke marrë parasysh se disa studentë kanë nevojë për konvikt, më duket absurde që dikush me marrë vendin dhe me shit, e dikush që ka nevojë për atë vend, të mos pranohet”, u shpreh ajo.

Një nga studentët e UP-së, Floriana Alija, dhe njëherësh banore e konvikti, tha se viteve të kaluara nuk ka hasur në këtë dukuri përveç këtij viti.

“Viteve të kaluara nuk kam hasur në këtë dukuri, por vitin e fundit dhe njoh persona të cilët janë marrë me shitjen dhe blerjen e kartelave të konviktit. Edhe personi i cili e ka bërë këtë veprim është përjashtuar nga konvikti, personi që e ka shit iu është anuluar e drejta për të aplikuar në tre vitet tjera në Qendrën e Studentëve. Është dukuri shumë negative të cilët ka studentë të cilët janë prej më larg dhe u ka mohuar e drejta për të qenë banues dhe persona të cilët e kanë shumë më pak nevojë dhe shumë më afër me distancë, vinë dhe banojnë në Qendrën e Studentëve”, u shpreh ajo.

Edhe studentja, Elonë Selmani pohoi se është e pranishme kjo dukuri. Ajo tregon edhe për mënyrën si duhet zgjidhur ky problem.

“Kjo dukuri (manipulimin me kartela) është bërë shumë e përhapur në secili rrjet social dhe mendoj që nuk është gjë e mirë, por besoj faji është i dyanshëm. Qendra Studentore është dashur të rregullojë mekanizma të ndryshëm për t’i zgjedhur studentët përfitues të banimit, por nëse edhe ata studentë përfitues që përzgjedhjen nga QS fitojnë të drejtën e banimit, dhe nëse e shohin se nuk kanë nevojë më për atë banim, është dashtë të lidhet si një kompromis me QS që ato konvikte që janë të lira me ia jep dikujt tjetër dhe jo duke bërë pazare”, theksoi ajo.

Qendra e Studentëve në Kosovë është e gatshme që të strehojë 4 mijë studentët e pranuar për vitin akademik 2022/23.