Arbëri

Aktivistet thonë se institucionet kanë tendencë për të shuar rezistencën feministe

Vrasjet e grave, protesta, feminizmi

Bjeshkë Guri, aktiviste nga shoqëria civile, ka thënë se institucionet në Kosovë po shprehin tendencë për të shuar rezistencën feministe në vend. Duke komentuar ndalimin për 48 orë të dy aktivisteve Neri Ferizi dhe Anita Mjeku, pas protestës së të enjtes kundër vrasjeve të grave, Guri ka thënë se “është e papranueshme që aktivistet të mbahen në mbajtje e dhunuesit të rrinë në liri”.

“Ato janë ndalur shkaku i rezistencës që është bërë dje ndaj të gjitha padrejtësive dhe të gjitha llojeve të dhunës me të cilat po ballafaqohen gratë çdo ditë në vendin tonë. Këtë tendencë të Prokurorisë dhe hallkave institucionale po e shohim si arsye dhe tendencë për të shuar rezistencën feministe në Kosovë”, ka thënë Guri në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Guri ka thënë se ka dështim të madh institucional në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave. Ajo e ka cilësuar dështim të madh të shtetit edhe vetëvrasjen e të dyshuarit për vrasjen e gruas shtatzënë para dy ditësh para Klinikës së Gjikenologjisë. Guri ka thënë se S.H. është dashur të arrestohej qysh në fillim kur gruaja e tij e ka paraqitur rastin e parë të dhunës në gjykatë, në gusht të këtij viti.

“Ne në vazhdimësi po përballemi me dështim të çdo hallke institucionale. Gratë janë në luftë sepse po luftojnë çdo ditë me këtë sistem”, ka thënë ajo duke shtuar se gratë ende përballen me stigmatizim e se u bëhet presion që “të durohet burri e të mos prishet familja”.

Guri ka kritikuar edhe reagimin e kryeministrit Albin Kurti pas vrasjes që ndodhi të mërkurën. Ka thënë se fjalia e Kurtit për reagimin shoqëror se “zgjat shkurt” me “një a dy protesta të nesërmen dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme”, “është shprehje që tenton ta shuajë rëndësinë dhe rezistencën e protestave dhe përpjekje për të minimizuar rolin e shoqërisë civile”.

Aktivistet feministe kanë protestuar sot para Prokurorisë së Shtetit me thirrjet për t’i liruar dy aktivistet. Në protestë, një nga organizatoret ka ftuar Qeverinë dhe Prokurorinë që të lirohen aktivistet e ndaluara e që “tentimet e tillat për të zbehur aktivizmin, nuk do të funksionojnë”.

Protesta e së enjtes u organizua një ditë pas vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë në oborrin e Gjinekologjisë. I dyshuar ishte bashkëshorti i saj, që të premten u vetëvra duke refuzuar dorëzimin te Policia.