1 perditesime
17:00

Osmanit i premtohet mbështetje nga Bullgaria për anëtarësim në KE e furnizim me energji

Gjatë vizitës në Bullgari, presidentes Vjosa Osmani i është premtuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës e furnizim me energji elektrike.

Osmani në ditën e parë të vizitës në Bullgari, të mërkurën, është pritur nga kryeministri në detyrë i Bullgarisë, Galab Donev,

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim thuhet se është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, mundësitë për thellimin e tyre dhe situatën aktuale në Kosovë, rajon e më gjerë.

“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova pret mbështetjen bullgare në rrugën euroatlantike të saj, duke potencuar se në këtë aspekt mund të përfitojë nga përvoja e këtij shteti. Të dy bashkëbiseduesit janë ndalë te çështja e sigurisë energjetike, derisa edhe kryeministri në detyrë Donev, sikurse presidenti Radev ka shfaqur gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën me furnizim me energji elektrike. Palët konfirmuan se për këtë çështje do të ketë takim ndërshtetëror të ministrive të linjës përkatëse”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Osmani ka marrë mbështetjen nga Donev për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera ndërkombëtare, teksa thuhet se i ka bërë të ditur atij se Kosova synon që brenda këtij vitit të aplikojë edhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Presidentja Osmani e ka cilësuar Bullgarinë një partner të rëndësishëm në këtë aspekt, ndaj ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes për Kosovës në procesin e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar. Të dy palët janë dakorduar për bashkëpunim në fushën e politikës së jashtme, ekonomisë, arsimit dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë.

“Kurse në raport me zhvillimet e fundit në vend, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për paqe, siguri dhe sundim të ligjit në gjithë territorin e Republikës. Sipas Presidentes Osmani dialogu me Serbinë duhet të jetë i fokusuar me njohje të ndërsjellë në qendër, ruajtjen e integritetit territorial, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Osmani ka potencuar se Kosova “ka bërë hapa të rëndësishëm në fushën e reformave në drejtësi dhe zbatimin e sundimit të rendit e ligjit”.

12:03

Osmani pritet me ceremoni të lartë shtetërore nga homologu i saj bullgar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në Bullgari.

Ajo është pritur me ceremoni të lartë shtetërore nga homologu i saj bullgar, Rumen Radev.

Të dy bashkë kanë mbajtur edhe një konferencë për media.