Arbëri

Lamaxhema: Sivjet është rritur numri i raportimeve të dhunës

Donika Lamaxhema nga “UN Women” ka deklaruar se sivjet është rritur për 19 për qind raportimi i rasteve të dhunës në familje.

Ajo ka thënë të martën në emisionin "SOT" të KTV-së se këto statistika bëjnë të mendojnë se fushatat kundër dhunës kanë pasur sukses dhe, sipas saj, gratë dhe vajzat “tani e dinë se s’kanë nevojë ta dhurojnë dhunën, por ta raportojnë”.

“Në 2020, ‘UN Women’ ka kryer hulumtim globalisht, ku thuhet se të paktën 1 në 3 gra përjeton dhunë në jetën e saj. Dhunë ekonomike, psikike, seksuale. Shpesh limitohemi të dhuna fizike, por edhe të tjerat janë dënohen si të tilla. Gratë dhe vajzat tani e dinë se s’kanë nevojë ta durojnë dhunën, por ta raportojnë”, u shpreh ajo.

Sipas Lamaxhemës, shoqëria kosovare ka ngritur vetëdijen, për ta kuptuar se vrasja e një gruaje veç pse është grua është gabim. Ajo ka shtuar se institucionet e Kosovës janë më të mobilizuara për t’i trajtuar rastet e dhunës në familje.

“Dikur nuk e kemi trajtuar si gabim vrasjen e grave nga bashkëshortët e tyre. Shteti nuk bën sa duhet për këto gra, pavarësisht se jemi më mirë se rajoni. Veprimtaria e strehimoreve shoqërohet me probleme, por jemi më mirë se në rajon me këtë situatë. Duhet t’iu japim kohë institucioneve që t’i perfeksionojnë këto. Kur je brenda në rrjedha e sheh që njerëzit mundohen. Kur raportohet një dhunë në familje, ajo merr trajtimin e duhur”, tha Lamaxhema.

Ajo u shpreh se organizata “UN Women” ka kryer disa aktivitete të sensibilizimit kundër dhunës në familje.

“Aktivitetet e organizatës po shtohen dita-ditës. Jo rrallë kemi marrë kritika se çka me kampanja. Pa konferenca, është e pamundur të aktivizohen akterët relevantë. ‘UN Women’ ka shkuar edhe derë më derë për kampanja, edhe në vendet më të largëta”, ka thënë ajo.

Lamaxhema ka theksuar se vrasja e arsimtares 63-vjeçare në Prishtinë nga bashkëshorti 70-vjeçar, lë të kuptojë se fenomeni i dhunës në familje nuk ka moshë.

“Një 63-vjeçare e vrarë nga bashkëshorti 70-vjeçar na tregoi se ky fenomen nuk ka moshë. Te gjithë gratë mund të jenë viktima. E kemi filluar fushatën me Ministrinë e Drejtësisë, është rasti i vetëm kur fushatën e drejton një entitet qeveritar”, ka thënë ajo.