Arbëri

Dy kompani kërkojnë të importojnë barna pa Autorizim Marketingu

Janë dy kompani farmaceutike që i janë drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë me kërkesën që t’u lejohet importimi i barnave pa Autorizim Marketingu, për shërbimet që ato thonë se i kanë kontraktuar me institucionet publike para se të ndryshohet Udhëzimi Administrativ. Ministria javë më parë, me procedurë urgjente, ka ndryshuar legjislacionin. Më ndryshimet e bëra, spitaleve publike nuk u lejohet të blejnë barna pa dokumentin që garanton cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin e tyre

Ligjërisht të pazbatueshme janë bërë kontratat për blerjen e barnave, të firmosura para se të ndryshohet Udhëzimi Administrativ për kriteret e garantimit të cilësisë. Dy kompani farmaceutike, që kanë kontraktuar barna pa Autorizim Marketingu, i kanë kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që t’u lejojë përmbushjen e detyrimeve që ato kanë ndaj institucioneve publike shëndetësore.

Ministria, javë më parë, ka ndryshuar legjislacionin që ishte në fuqi nga viti 2014. Me ndryshimet e fundit, spitaleve nuk u lejohet të blejnë barna pa Autorizim Marketingu, dokument ky që nënkupton siguri, cilësi e efikasitet të produktit.

Shkresat e kompanive, “NIN Pharm” dhe “Meditech”, që përmbajnë arsyet për nevojën e importimit të barnave, janë duke u shqyrtuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ju lutem, na njoftoni si do të procedoni me kontratat tashmë të nënshkruara sipas UA 02/2014 në mënyrë që dhe ne ta bëjmë furnizimin me kohë të SHSKUK-së dhe të MSH-së, pasi kemi marrë edhe urdhërblerje për furnizim për tremujorin e tretë të vitit 2022 nga institucionet shëndetësore, përfshirë mbulimin e pacientëve me produkte medicinale jetëshpëtuese. Koha e liferimit të mallit është 30 ditë nga dita e marrjes së urdhërblerjes. Po ashtu, ne si Operator Ekonomik kemi rezervuar dhe porositur këto produkte medicinale te prodhuesit, pasi kontrata ka qenë e nënshkruar me institucione shëndetësore publike shumë të respektuara në Kosovë, që bartin përgjegjësitë për kontratat e nënshkruara”, thuhet në shkresën e dy kompanive.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, jozyrtarisht, i kanë thënë KOHËS se nuk kanë asnjë kontratë të lidhur për barna që nuk kanë Autorizim Marketingu dhe se kërkesa u ka mbërritur nga kompanitë që kanë detyrime për furnizim të SHSKUK-së.

Megjithatë ky institucion nuk i është përgjigjur konkretisht KOHËS për numrin e produkteve të blera pa Autorizim Marketingu.

“AK-SHSKUK, në kriteret për furnizim me barna, çdo herë ka vendosur Autorizim Marketingu si kriter bazë, në rast se nuk është i regjistruar produkti në Kosovë (AKPPM) ka aplikuar UA - 2/2014 për produktet pa paralele deri me datën 21.10.2022, me të cilën ka hyrë në fuqi UA - 01/2022”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Udhëzimi i ri Administrativ shprehimisht e ndalon importimin e barnave pa Autorizim Marketingu në tenderët për furnizim të institucioneve publike. Për raste urgjente dhe në rrethanat kur nuk mund të sigurohen barna me procedurë të rregullt, furnizimi mund të lejohet me vendim të veçantë të ministrit të Shëndetësisë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar që me ndryshimin e Udhëzimit Administrativ kanë ndryshuar rregullat për të gjithë.

“Pas nxjerrjes së këtij Udhëzimi Administrativ, Ministria e Shëndetësisë ka pranuar kërkesë që t’u mundësohet importi kompanive që kanë kontrata aktive, mirëpo janë të njoftuar që Udhëzimi Administrativ ka hyrë në fuqi me datën e nënshkrimit dhe të publikimit në gazetën zyrtare dhe është kërkuar zbatimi i UA 01/2022 nga të gjitha institucionet- hisedarë në zbatim të këtij UA”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Udhëzimi që e ndalon blerjen e barnave pa Autorizim Marketingu është ndryshuar javë më parë, pas raportimit të KOHËS për një vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili ia mundësonte një kompanie private që të fuste në treg insulina pa këtë dokument.

Ka qenë pikërisht “Meditech”, kompania që tash kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që një lloj të barit ta futë në Kosovë pa Autorizim Marketingu, që ishte ankuar se konkurrentja e saj po tenton ta fitojë tenderin pa certifikatë të cilësisë, sigurisë e efikasitetit.

Drejtori i kësaj kompanie, Shkëlzen Fetiu, i ka thënë KOHËS se rasti i tashëm nuk është i njëjtë me atë të insulinave.

“Tema për të cilën jeni referuar ju ka të bëjë me produktin e prodhuesit të mirënjohur Evropian – Darbopoetin Alfa dhe kontratës për furnizimin e SHSKUK-së me këtë produkt, të datës gusht 2021. Ky produkt nuk ka paralele të regjistruara në Kosovë dhe nuk ka asnjë produkt zëvendësues me Autorizim Marketingu në Kosovë. Për më tepër, për këtë produkt ka ofruar Autorizimin dhe të gjitha garancitë për kualitet vetë prodhuesi, duke sjellë seritë e Bashkimit Evropian në Kosovë. Në anën tjetër, rasti i insulinave, të cilit i referoheni, është tërësisht i ndryshëm nga rasti më lart. Në rastin e insulinave tentohet të favorizohet kundërligjshëm një import pa Autorizim Marketingu dhe pa autorizimin e prodhuesit dhe diskriminohet një produkt i cili ka paralele të regjistruara në Kosovë dhe me Autorizim Marketingu”, ka thënë ai.

Në kompaninë “Meditech” nuk kanë treguar se pse nuk kanë aplikuar për Autorizim Marketingu.

Ndërsa drejtori i “Nin”, kompania tjetër që ka kërkuar shmangie nga kushtëzimi i Udhëzimit të ri Administrativ, Flurim Nebiu, nuk është përgjigjur fare në pyetjet e KOHËS.