Arbëri

Kusari-Lila: Borrelli shfaqi anshmërinë sepse është mësuar që Kosova të lëshojë pe

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka shfaqur anshmëri totale pro Serbisë në takimin e fundit që krerët e dy shteteve patën të hënën në Bruksel në përpjekje për të arritur marrëveshje për targat, sepse nuk është mësuar që Kosova të mos lëshojë pe, ka thënë në “Java Sonte me Rronin” shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

Sipas saj, kritikat e Borrellit ndaj Kosovës erdhën pasi “ai ka pritur që Kosova do të lëshojë pe e se kryeministri Albin Kurti do të ketë qasje më të lehtë ndaj Serbisë, sepse duket se ashtu është mësuar”.

Të hënën, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dështuan të merreshin vesh për çështjen e targave ilegale të Serbisë, që qarkullojnë në Kosovë. Pas takimit, Borrelli pati kritikuar palët, duke veçuar Kosovën. Ndaj tij, kryeministri Kurti u shpreh se po tregon njëanshmëri. Kurti akuzoi Borrellin se ka hequr nga rendi i ditës çështjen që marrëveshja finale duhet të arrihet deri në mars 2023, e që sipas Kurtit ishte pajtim i mëhershëm si dhe ishte përmendur në ftesën për takim.

Sipas Kusari-Lilës, Kosova tash nuk është në avantazh në raport me qasjen e ndërmjetësuesve në dialog.

“Ajo e ka treguar Borrellin e anshëm tërësisht. E ka treguar një gjuhë raciste dhe diskriminuese ndaj Kosovës me tendencën e kërcënimeve që u reflektuan në vendimin e ambasadorëve të BE-së për votimin formal për liberalizimin e vizave, që tashmë ka kaluar në nivel të trajtimit tërësisht të ndërlidhur politik, apo është diskutuar në nivel të ndërlidhjes politike”, ka thënë Kusari-Lila. “Gjuha e komunikuar e Borrellit tregoi se ai do të mbajë qëndrim të tillë. Kjo po që se nuk është e lehtë. Arsyeja që ai sillet kështu dhe që ka pasur këtë qasje, duke pritur që Kosova do të lëshojë pe e se Kurti do të ketë qasje më të lehtë ndaj Serbisë, është se duket se ashtu është mësuar. Në këtë situatë, ajo që mund të them është se në një çështje besimi 100 për qind në një proces të rëndësisë kaq të lartë, ia besoj kryeministrit Kurti”.

Një dakordim u arrit në nivel kryenegociatorësh, dy ditë pas dështimit të takimit Kurti-Vuçiq. Megjithatë, në letrën e Borrellit nuk përmendet sërish afati për arritjen e marrëveshjes finale. Kusari-Lila ka thënë se arritja e dakordimit, pa u përmendur afati për marrëveshjen finale, nuk është “dorëzim i Vetëvendosjes”.

Sipas Kusari-Lilës, moscaktimi i afateve në këtë pajtim nuk nënkupton se dialogu mund të zgjatet në pafundësi. Ajo ka thënë se edhe “mosmarrja vesh është bllokim i procesit”. Palët janë pajtuar që nëse në dialog shfaqen bllokime, ndërmjetësuesi mund ta përfundojë procesin.