Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, për televizionin “TV Prva”, ka thënë se kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “po i duhen tensionet për ta larguar vëmendjen nga problemet e vërteta”.
Simiq ka thënë se Kurti po shikon ta përmirësojë “rejtingun”.
“Targat që lëshohen në territorin e Kosovës e M. lëshohen me dekada. Nuk është ndonjë targë e re, por ka legjitimitet dhe përdoret në gjithë Evropën dhe botën. Prishtina e ka të nevojshme krijimin e tensioneve për shkak të situatës ekonomike, energjetike dhe krizës së ushqimit, në mënyrë që ta zhvendosë vëmendjen e publikut nga problemet e vërteta jetësore në veri të Kosovës”, tha Simiq. “Ata përdorin serbët dhe konfrontimin me serbët si mjet, për të rritur rejtingun politik dhe kjo është mjaft e rrezikshme. Në këtë kuptim, Albin Kurti është i gatshëm të bëjë gjithçka për ta përmirësuar rejtingun e tij”.