Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde dhe atë të Francës, Olivier Guerot, ku i ka njoftuar për situatën e fundit në vend e po ashtu për bisedimet e të hënës në Bruksel.
Kurti gjatë takimit ka thënë se Kosova ka dëshmuar konstruktivitet dhe gatishmëri për të arritur një marrëveshje me Serbinë.
Ai po ashtu ka thënë se Kosova e sheh bazë të mirë propozimin që po njihet si franko-gjerman.
“Ai e ritheksoi se përmes pjesëmarrjes në takime të ftuara nga ndërmjetësuesit dhe propozimeve të saj, Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitetin, gatishmërinë dhe interesimin për arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër dhe se për dallim nga Serbia, e konsideron si bazë të mirë propozimin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Po ashtu gjatë takimit është theksuar që të arrihet një marrëveshje brenda 48 orëve për çështjen e targave.
“U theksua nevoja për përpjekje maksimale për arritjen e një dakordimi brenda orëve të mbetura nga afati shtesë prej 48 orësh, ashtu që përafrimi i djeshëm në Bruksel të rezultojë në pajtueshmëri të përbashkët”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.