Arbëri

Kurti prezanton para prizrenasve “projektet që kanë për qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar para qytetarëve të Prizrenit të martën, projektet dhe nismat, që siç i ka cilësuar Zyra e Kryeministrit, do të shërbejmë për lehtësimin e jetës së qytetarëve e zhvillimin e ekonomisë.

Në takim ishin prezent edhe dy ministra, ai i Financave, Hekuran Murati, dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Përpos tyre, të pranishëm ishin edhe deputetë e zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren.

“Kryeministri Kurti theksoi se buxheti i vitit 2023, pra 3 miliardë e 212 milionë euro, është më i larti në historinë e Republikës tonë. Kjo pasi përkundër sfidave e krizave globale, vitin e kaluar e kishim vitin më të suksesshëm në historinë e shtetit tonë, për sa i përket të hyrave buxhetore dhe rritjes ekonomike. Edhe në vitin 2023, siç theksoi ai, mirëqenia, shëndetësia, arsimi, mbrojtja e bujqësia vazhdojnë të jenë prioritetet e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Në fjalën e tij para qytetarëve të kësaj komune, kryeministri, sipas njoftimit, bisedoi rreth ndarjes buxhetore për Komunën e Prizrenit, në sektorin e shëndetësisë, arsimit, kulturës, në infrastrukturë e shumë projekte e nisma të tjera. Për Komunën e Prizrenit, buxheti për vitin 2023 është mbi 92.5 milionë euro.