Arbëri

Ministri italian i Mbrojtjes: Jemi të gatshëm të ndihmojmë që të kalohet ngërçi Kosovë-Serbi

Pas takimit me homologun nga Italia, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se është diskutuar për shumë tema dhe se ka falënderuar ministrin për rolin që ka luajtur Italia.

Ai i ka thënë se FSK-ja është e gatshme të mbështesë në operacione ndërkombëtare.

"Me ministrin kemi diskutuar për rëndësinë e politikave gjeopolitike por edhe atyre globale. Kemi diskutuar për proceset që po kalon ministria e Mbrojtjes. Kemi diskutuar edhe për avancimin që kemi bërë ditëve të fundit për ndryshimin e ligjeve, ngritjen e kapaciteteve. E kam falënderuar për rolin që e ka luajtur Italia gjatë luftës, e pas luftës, por edhe atyre që sot kontribuojnë. Për vitin 2023 kemi nënshkruar marrëveshje bilaterale, kemi pasur diskutim të mirëfilltë për gjendjen e sigurisë në rajon dhe botë, për gjendjen aktuale që gjendet Ukraina, roli i Kosovës, ofrimin që e ka dhënë Republika e Kosovës për mbështetjen e shtetit të Ukrainës por edhe trajnimeve që i kemi ofruar shtetit të Ukrainës. Ne takohemi çdo muaj me 55 shtete të tjera, ku diskutojmë për situatën. Kemi diskutuar edhe për influencën e Rusisë në Ballkan. Kam ofruar ministrit që Kosova dhe FSK është e gatshme të mbështesë në operacione ndërkombëtare dhe të qëndrojmë krah për krah aty kur kërkohet për kontribut dhe për siguri globale", ka thënë ai.

E ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosseto, u shpreh se është diskutuar edhe situata aktuale mes Kosovës e Serbisë.

Ai ka thënë se Italia është e gatshme për të ndihmuar në kalimin e ngërçit nga situata e fundit në veri.

"Rëndësia e kësaj pjese të botës është dëshmuar në 20 vitet e fundit me kontingjentin e pjesës së Forcës së Sigurisë në Kosovë. Me këtë dëshirojmë të shprehim interesimin e Italisë në Ballkanin Perëndimor në vitet që vijojnë. Me ministrin Mehaj kemi diskutuar në shumë pika, kemi biseduar dhe e kam falënderuar për qëndrimin që ka pasur Kosova në situatat dramatike në Ukrainë. E kam falënderuar ministrin për mikpritjen e trupave italiane. Kemi biseduar për aspiratat e Kosovës për bashkëngjitje në NATO. Kemi biseduar edhe për tema më të zorshme, siç është gjendja aktuale në kufijtë e pjesës veriore me Serbinë. Për shqetësimet e Italisë me situatën që ka ndodhur javëve të fundit. Dhe për gatishmërinë e Italisë që ta shohim se si mund të kalohet ngërçi i Kosovës me Serbinë. Objektivi i dy vendeve është që të bëhen pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Në familje të gjithë duhet të dinë të bashkëjetojnë. Ky është objektivi ynë që kemi si Itali dhe për të cilën japim gatishmëri. Kjo pjesë e Evropës është shumë e rëndësishme", ka thënë ai./ KP