Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se serbët nuk mund ta tolerojnë terrorin e Prishtinës dhe paralajmëroi protesta në të gjitha institucionet e Kosovës.
Ai në konferencën për media ka theksuar se në Bruksel nuk është arritur asnjë marrëveshje, për të cilën siç ka thënë, është përgjegjëse Prishtina. Këtë sipas tij e kanë konfirmuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë.
“Të gjithë ata që bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje sot e dinë se kush është ana destruktive”, ka theksuar Rakiq.
"Ne duam vetëm paqe. Ne kërkojmë vetëm që të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara. Duam të jetojmë të qetë, të jemi vetvetja në vendin tonë dhe të qëndrojmë në vatrat tona. Tri pika i thyen shpinën devesë: Shkarkimi i Nenad Gjuriqit, vendimi për heqjen e targave të Serbisë dhe fakti që Asociacioni nuk është formuar ende. Me ne është edhe Ivan Todosijeviq, i cili u dënua për fjalët e tij. Policia speciale, njësitet po i ngacmojnë vëllezërit, motrat, janë katër baza të reja, na kanë ndaluar të vaksinojmë, zgjedhjet, referendumi. Ka pasur sulme të panumërta dhe këto janë mesazhe të qarta se nuk na duan këtu, si dhe të kthyerit se nuk janë të mirëseardhur”, ka thënë Rakiq, raporton Kosovo Online.
Ai paralajmëroi protesta në shumë institucione.
"Nuk kemi ku të shkojmë dhe shpresoj se nuk do të duhet të mbrohemi. Njerëzit nuk mund të tolerojnë më torturat që po bën Prishtina. Do të kemi protesta në shkolla, qendra shëndetësore dhe në të gjitha institucionet e tjera”, ka thënë Rakiq.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.