Arbëri

Vuçiq: Kurti ka treguar se nuk i do serbët në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dëshmuar “se nuk do serbë në Kosovë”.

Vuçiqi në një intervistë për “TV Prva” ka thënë se kapaku ishte pezullimi i Nenad Gjuriqit, nga posti i drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut.

“Nuk ka dyshime se situata është më e vështira në dhjetë vjetët e fundit. Kur shkuam në Berlin, bëmë tri marrëveshje të rëndësishme. Kurti e shfrytëzoi atë ditë në Berlin për të njoftuar për tri gjëra. Ato tri gjëra bënë që serbët të largoheshin nga institucionet. Kurti bëri të ditur se nuk do të themelohet Asociacioni”, ka thënë Vuçiq. “Kapaku ishte shkarkimi i Gjuriqit. Serbët kuptuan se nuk ka marrëveshje me atë njeri, se nuk ka asgjë. Shkoj në Bruksel që të mos i lë të akuzojnë Serbinë se nuk ka bërë çdo gjë”.

Të hënën është paraparë të mbahet një takim i nivelit të lartë mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

“Ne thamë se duhet ta formoni Asociacionin në përputhje me propozimin e serbëve dhe se duhet të anuloni vendimin për targat. Ju keni gënjyer publikun se keni të drejtë për këtë. Shqiptarët kanë treguar se nuk duan serbët në Kosovë, dmth Kurti. Ai ka vënë njeriu që ka marrë 30 herë më pak vota”, tha Vuçiq. “Çfarëdo që të bësh në këtë vend do të fajësohesh. Me muaj të tërë pyesnin se çfarë duan serbët në institucionet e Kosovës, dhe kishte arsye për këtë. Kur u bë e qartë se atje nuk ka shpëtim, atëherë ata të njëjtit thonë pse po lëshojnë institucionet. Prishtina u fut në aksion”.


Vuçiq: Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhje në veri

“Ata kanë një plan që është legalizimi i ushtrisë, heqja e të drejtës së 10 për qind të vendeve të garantuara në Parlament dhe gjoja dekriminalizimi i veriut të Kosovës. Me shpalljen e zgjedhjeve në veri do të shpallen kryetarë të rinj me ndihmën e shqiptarëve të rrejshëm. Është e qartë se cili është plani dhe ne po mundohemi ta prishim atë plan. Lista Serbe do t’i bojkotojë zgjedhjet. Kërkesa serbe kanë të bëjnë vetëm me atë që është nënshkruar në dialogun në Bruksel. Serbët nuk kanë kërkuar diçka që nuk është nënshkruar, por duan të zbatojnë atë që është nënshkruar”, tha Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se shpreson të mos ketë luftë.

“Policia Speciale e Kosovës nuk ka çfarë kërkon në veri të Kosovës. Serbia do të qëndrojë pranë popullit të saj. Shpresoj të mos ketë luftë, por nuk varet nga ne”, tha Vuçiq.

I pyetur nëse SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, mund ta “bindin Kurtin”, Vuçiq ka thënë se Amerika sigurisht se po tenton dhe se nuk do konflikt, por se të tjerëve nuk u beson.

“Ne mund të llogarisim vetëm në veten tonë. Askush nuk na ka krijuar ne si shtet. Paqaja varet nga presioni i fuqive perëndimore ndaj Prishtinës”, tha Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se “Serbia ka forcën dhe inteligjencën për t’i bërë ballë situatës”.