Vetëm një subjekt politik ka aplikuar për certifikimin e pjesëmarrjes në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të zhvillohen në 4 komuna veriore të Kosovës.
Zgjedhjet në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin-Potokut janë shpallur për 18 nëntor, pas dorëheqjes së kryetarëve në kundërshtim të vendimit të Qeverisë së Kosovës rreth targave të veturave.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se kërkesë për pjesëmarrje në zgjedhje ka paraqitur vetëm Iniciativa Qytetare Mitrovica, me kandidatin e saj për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Megjithëkëtë, subjektet politike kanë kohë deri të hënën, në orën 16:00, që të aplikojnë për pjesëmarrje në zgjedhjet në katër komuna të banuara me shumicë serbe.
“Mbështetur në praktikat e së kaluarës, dita e fundit është zakonisht që shfrytëzohet nga subjektet politike për të paraqitur aplikimet e tyre për pjesëmarrje në zgjedhje, por, siç e thashë edhe më herët, është në vullnetin e tyre për të paraqitur këto aplikime”, ka thënë Elezi.
Por, qysh në ditën e shpalljes së zgjedhjeve subjektet politike serbe kanë konfirmuar mospjesëmarrjen në votime.
Mungesa e kandidatëve për kryetarë të komunave rrezikon që ta vërë në dyshim mbajtjen e zgjedhjeve.
Albert Krasniqi, hulumtues në organizatën “Demokraci Plus”, thotë se presidentja Vjosa Osmani para shpalljes së zgjedhjeve do të duhej t’i shqyrtonte të gjitha mundësitë ligjore. Ai ka numëruar disa skenarë që mund të shfrytëzohen deri në gjetjen e një zgjidhjeje.
“Njëra mënyrë është që të krijohet një bazë ad hoc ligjore, e cila i mundëson presidentes që të bëjë shtyrjen e zgjedhjeve, por gjithmonë në konsultim me partitë politike. Ose e dyta, përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme që i mundëson deri në 90 ditë të shtyhen zgjedhjet aq sa mund të zgjasë gjendja e jashtëzakonshme. Por nëse kërkohet përtej kësaj date ose përtej këtij afati, duhet që të ketë një votim në Kuvend dhe të jetë Kuvendi institucioni që e mundëson shtyrjen përtej këtij afati”, ka thënë Krasniqi.
E ish-anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë se gjatë zgjedhjeve për kryetarë duhet të vihen në funksion edhe kuvendet komunale.
“Duhet të funksionalizohen edhe kuvendet komunale në këto komuna, por që është një proces që mendoj se duhet të përmbushet dhe realizohet përgjatë procesit të zgjedhjeve për kryetarë të komunave. Natyrisht KQZ-ja tani i ka të gjitha autorizimet kushtetuese dhe ligjore për të organizuar dhe administruar zgjedhjet atje. Nuk shoh ndonjë pengesë në kuptimin e tillë të legjitimitetit, zgjedhjet lokale janë për t’u ofruar administratë qytetarëve atje për shërbime publike në interes të tyre”, është shprehur Rrustemi.
Kryetarët e komunave veriore patën dhënë dorëheqje duke iu bashkuar vendimit të serbëve të veriut për t’u larguar nga institucionet e Kosovës shkaku i pakënaqësisë rreth vendimit për konvertimin e targave nga ato ilegale në RKS.